Marina Mbretërore britanike do të përdorë helikopterët pa ekuipazh për të sulmuar nëndetëset ruse, mënyrë kjo për të shmangur pjesëmarrjen në misione të pilotëve.
Këto lloj helikopterësh janë ende në fazë testimesh, ndërsa do të shihet nëse do të arrihet hedhja e mjeteve të vogla në trajtë tubi, që kryen gjurmimin e nëndetëseve, dhe më pas të bëhet kthimi i sinjalit në avion.
Sipas planeve, nëse vërehet një nëndetëse, avioni do të dërgojë një helikopter pa ekuipazh dhe më pas do të kryhet edhe hedhja e sinjalizuesit.
Ministria britanike e Mbrojtjes do t’i japë “Leonardo”-s, një nga kompanitë kryesore të hapësirës ajrore në Mbretërinë e Bashkuar, 60 milionë paund për një periudhë katër vjeçare për të projektuar dhe zhvilluar një helikopter me një peshë prej tre tonësh – më pak se një e pesta e peshës së një helikopteri Merlin.
Fluturimi i parë i një helikopteri të tillë pritet të ndodhë në vitin 2025.
Investimi për një mjet të tillë, vjen ndërsa Britania rrit mbështetjen e saj për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë, me Ministrinë e Mbrojtjes që njoftoi se do të dërgojë një sërë armësh artilerie dhe qindra dronë dhe armë antitank në vend.
Sekretari britanik i mbrojtjes Ben Wallace, tha se Britania do të dërgojë gjithashtu 50.000 predha artilerie në javët e ardhshme, ndërsa luftimet vazhdojnë të ndizen në rajonin e Donbasit.
Ministria e Mbrojtjes, doli sot me një deklaratë ku thuhej se helikopterët e rinj pa ekuipazh mund të sigurojnë një alternativë inovative ndaj avionëve ekzistues për gjurmimin e nëndetëseve kundërshtare dhe se qëllimi është që mjetet e tilla të jenë më të sigurta dhe më të lira se sa përdorimi i helikopterëve normale me ekuipazh në bord.
“Kërcënimi global po ndryshon dhe është thelbësore që ne të mbetemi në ballë të inovacionit të mbrojtjes. Eksplorimi i aftësive të reja mbrojtëse të fundit përmes programeve me prodhuesit kryesorë britanikë, do të ndihmojë për të siguruar që forcat tona të armatosura të jenë të pajisura për t’u përballur me kërcënimet më të fundit”, tha Jeremy Quin, ministri i Prokurimeve.
Admirali Sir Tony Radakin, shefi i shtabit të mbrojtjes, tha për The Times se kishte pasur një rritje fenomenale në aktivitetin e nëndetëseve ruse gjatë 20 viteve të fundit. Ai paralajmëroi se aktiviteti i nëndetëseve ruse po kërcënonte kabllot nënujore që janë vendimtare për sistemet e komunikimit në mbarë botën.
Ai tha se kabllot nënujore që transmetojnë të dhëna të internetit janë sistemi i vërtetë i informacionit në botë dhe se çdo përpjekje për t’i dëmtuar ato mund të konsiderohet një akt lufte./m.j