Ndërkohë që në Bruksel për çeljen e negociatave nuk kishte asnjë përfaqësues, deputeti i Partisë Socialiste, Arben Pëllumbi thotë se opozita është e ftuar kudo. Në studion e Radar Informativ me Juli Xhokaxhi, Pëllumbi tha se PS përjashton vetëm Sali Berishën, nga çdo vendimmarrje.
Sipas tij socialistët nuk bashkëpunojnë me Sali Berishën, i cili është shpallur non grata nga SHBA dhe siç thotë ai, është sanksionuar edhe nga Britania e Madhe.
“Opozita është e ftuar kudo. Me përjashtim të një personi, të cilit Partia Socialiste që ditën e parë e ka vendosur pozicionin e saj. Ne nuk bashkëpunojmë me zotin Sali Berisha të shpallur non grata nga SHBA dhe nga ajo që kuptuam sot edhe nga Mbretëria e Bashkuar. Ata nuk nxjerrin emra. Ata të çojnë një letër te shtëpia. Kështu kuptuam sot, ka ndodhur kjo gjë”, tha Pëllumbi.
Deputeti shtoi më tej se pas çeljes së negociatave duhet të ndryshojë mendësia e të gjithëve. “Në radhë të parë fillimi i bisedimeve duhet të na ndryshojë një mendësi të gjithëve. Kjo do të thotë të ndryshosh ti vetë në radhë të parë. Secili nga ne ka detyrat e veta. Kuvendi do të ketë edhe volumin më të madh të punës në lidhje me legjislacionin. Do të jetë një punë voluminoze që të afrojmë ligjet me BE”, deklaroi Pëllumbi./m.j