Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri, i është përgjigjur deputetit të opozitës Agron Shehaj në lidhje me akuzat në parlament. Gjiknuri theksoi se ka ngritur padi ndaj tij për shpifje ndërsa shtoi se ai është përdorur nga palët në Partinë Demokratike.
“Ti zotëri ke një hall tjetër, ta mësojnë dhe të tjerët. Për këto budallallëqet që ti thua, që merresh me kushërinjtë e mi që janë biznesmenë që nga viti 1991 dhe në fund të fundit janë në punët e tyre dhe nuk të hyjnë ty në xhep. Ti je në gjykatën e Tiranës për këtë çështje.
Përse e sjell Gjykatën në Parlament? Jo më larg sesa pardje ke marrë një njoftim që nuk ke paraqitur prova. Më datë 08.07.2022 të ka ardhur njoftimi se nuk ke qenë në gjendje që të paraqesësh prova. E para, që ai nuk është djali i xhaxhait tim dhe e dyta për të gjithë pretendimet që unë kam ngritur në atë padi.
Ti ke paguar 700 mijë euro, thonë për ty, për të zënë vendin e deputetit. Të përdorin. Njëherë të mori Luli, tani të ka marrë foltorja. Ti atë punë ke! Unë nuk jam si ty! Unë të kisha para nuk i fshihja nëpër kushërinj, siç ke bërë ti te Rruga ‘Asim Zeneli’, e di mirë ti. Ti që je “biznesmen i ligjshëm” në thonjëza, i investon nëpërmjet të tjerëve”, deklaroi Gjiknuri.
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri, u shpreh se me Shehajn do takohen në gjykatë. “Bashkë takohemi në Gjykatë mos e lodh Parlamentin me këto çeshtje. Të kam bërë padi për shpifje pikërisht për këto që ngrite këtu. Mos e sill Gjykatën e Tiranës në Parlament. Merru me gjëra serioze. Të kanë gjetur me para dhe të përdorin”, nënvizoi numri dy i socialistëve./m.j