Shqipëria është një vendburim i madh i naftës, kështu u shpreh Stavri Dhima, ekspert i hidrokarbureve në të gjitha qeveritë shqiptare, duke nisur nga Hoxha deri tek Rama. I ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, zoti Dhima tha se tashmë kërkimet për vendburime të naftës janë përqendruar në Dimal të Kuçovës. Eksperti i hidrokarbureve theksoi se në Shqipëri, ndodhet vendburimi më i madh i naftës në tokë që është në zonën e Patos-Marinzës.
“Kërkimet së fundmi për burimet e naftës në Shqipëri janë përqëndruar në fshatin Breshtan, në zonën midis Urës Vajgurore dhe malit të Shpiragut. Në këtë zonë kërkohet naftë që prej 60-70 vjetësh. Por nafta në Shqipëri është zbuluar që në vitin 1918 në verilindje të Vlorës, në Dreshovicë. Por zbulimi më i madh që u bë nga italianët në atë kohë, ishte në zonën e Kuçovës. Më pas është bërë zbulimi i naftës në Patos, Marinzë, Ballsh, Cakran.
Nga vitet 1957 nisi zbulimi më i madh i naftës. Ishin shqiptarët dhe rusët që bënë zbulimet e para, e më pas ishin vetëm shqiptarët. Shqipëria ndodhet në një nga zonat me potenciale naftëmbajtëse. Madje vendburimi i Patos-Marinzës është vendburimi më i madh në Europë, në tokë. E theksoj në tokë sepse në detin e Zi, në detin e Veriut, janë zbuluar vendburime të mëdha, por në tokë, në Europë Patos-Marinza është më i madhi. Në Patos është zbuluar në vitet 1930, ndërsa në Marinzë në vitin 1957”, u shpreh zoti Dhima në Dritare TV.
E vërteta e naftës në Shpirag, ja kush e zbuloi!
Në Shpirag nafta është zbuluar nga shqiptarët. Stavri Dhima, ekspert i hidrokarbureve i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga, tha se kërkimet në këtë zonë kanë nisur që në vitet 1960, por metodologjia e përdorur, e vështirësoi gjetjen e burimeve të naftës.
“Në Shpirag kërkimet e para kanë nisur që në vitet 1960. Unë punën e kam nisur pikërisht në këtë zonë në vitin 1980, atëkohë si specialist gjeofizik ku bënim punimet fushore. Duke punuar më në jug të kësaj zone, ne e quajmë zona e Plashnikut, është bërë dhe një pus i cili kapi një objekt gëlqeror dhe jo atë që ne shpresonim. Megjithatë ishte një tregues i rëndësishëm për të patur një vizion të ri për kërkimet në këtë zonë.
Deri në vitet 1980 veprohej me këtë ideologji, sikurse ishin vërtetuar vendburimet në Ballsh, Cakran, pra nga informacionet që mblidheshin për gjeologjinë sipërfaqësore, tregohej nëse kishte apo jo premisa për të zbuluar naftë.
Ky ndërtim gjeologjik reflektohej edhe në thellësi. Me këtë logjikë ishte ecur dhe në zonën e brezit antiklinal të Beratit. është një zonë ku janë bërë studime që herët, por është studiuar me konceptin që në përputhje me hetimet e gjeologjisë sipërfaqësore dhe me informacionin sizmik që merrnim, duhet të kishim në buzën perëndimore të malit të Shpiragut, këto reflektime në thellësi. Dhe me këtë ide janë hapur shumë puse, të cilat kanë rezultuar negativë.
Në vitin 1984 pati një reflektim të pjesshëm për të kuptuar se nuk është direkt në atë vend ku ne dyshonim, por mund të ishte më afër malit të Shpiragut. Studimi u bë nga shqiptarët. Historia e zbulimit të naftës në Shpirag është bërë nga shqiptarët. Studimet drejtoheshin nga instituti i naftës dhe i gazit.
Në vitin 1984 u shpua pusi i gjashtë, që nuk kapi strukturën por sipas interpretimeve që ne bëmë duhet ta ketë lënë objektin që ne kërkonim, më në lindje të malit të Shpiragut. Mbi këtë bazë u bënë punime të reja sizmike dhe në bashkëpunim me gjeologët u bë një interpretim që gjithë ky mali i madh, si rezultat i proceseve gjeologjike ka lëvizur dhe forcat shtytëse e kanë sjellë drejt perëndimit, dhe nën këtë mal për ta thënë thjeshtë, është varrosur një mal tjetër. Ky ishte koncepti i ri që ne futëm dhe kjo ishte një meritë e ekspertëve gjeologë dhe sizmikë. Ne e vërtetuam me dokumente.
Ajo që u arrit nga gjeologjia shqiptare, nga specialistët dhe ekspertët ishte që të konceptohej një strukturë ndër malin e Shpiragut. Në atë kohë ne projektuam edhe një tjetër pus që e quajtëm Sqepuri i 7. Po të ishte shpuar, do të ishte vërtet ajo shtata e famshme që thamë. Por pas 90 gjërat ndryshuan.
Shpimi i puseve ka një kosto shumë të lartë dhe kjo ishte një ndër arsyet pse u stopua”, u shpreh Dhima në Dritare TV.
Ja sa naftë zbuloi Shell në Shpirag!
Zona naftëmbajtëse e Shpiragut është tërësisht në duart e kompanisë Shell. Stavri Dhima, ekspert i hidrokarbureve i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga, tregoi se çfarë ka zbuluar kjo kompani në Shpirag, aty ku janë fokusuar vitet e fundi, kërkimet për vendburimet e naftës.
“100% të aksioneve në zonën e Shpiragut janë të Shell. Shell është një nga gjigantët më të mëdhenj të naftës. Është një shoqëri ndërkombëtare, multinacionale me qendër në Holandë. Ka aktivitet në të gjithë globin. Është një nga kompanitë më të mëdha dhe më të fuqishme të kërkimit të naftës dhe të gazit.
Shelli është bërë 100% aksionere në periudhën pas vitit 2013 kur u kompania Petromanase së bashku me Shell, shpuan pusin Shpiragu 2, i cili vërtetoi përfundimisht ekzistencën e naftës. Por ishte edhe një komani shumë e fuqishme, pasi ka investuar miliona dollarë.
Pas Shpiragut 1 dhe 2, u bënë përpjekje për hapjen e Shpiragut 3, por që do të bënte edhe një vlerësim për shtrirjen e zonës deri ku mund të jenë burimet e naftës. Por për arsye teknike Shpiragu 3 nuk u shpua deri në objektivin që kemi.
Për këtë arsye u shpua pusi Shpiragu 4 në afërsi të pusit Shpiragu 1 dhe 2. Në maj të vitit 2019 u deklarua rezultati i testimit nga ky pus. Në rast se pas shpimit të pusit Shpiragu 2 janë bërë publike shifrat ku flitet për 1300, 1500 apo 100 mijë metra kub gaz, në këtë rast zyrtarisht është thënë nga kompania Shell që bëhet fjalë për disa mijëra fuçi nafte në ditë. Pra bëhet fjalë për një sasi të konsiderueshme dhe me shumë leverdi”, u shpreh zoti Dhima në Dritare TV./m.j