Kryeministri Edi Rama është përballur me kritika pasi delegacioni shqiptar që shkoi në Bruksel për Konferencën e parë Ndërqeveritare nuk kishte asnjë anëtar nga opozita.
Për këtë arsye, kreu i Partisë Demokratike, nga Durrësi ku po mban një takim me të rinj dhe intelektualë të qytetit bregdetar tha se kreu i qeverisë shkoi në Bruksel më 19 korrik si monist.
Megjithatë, lideri i demokratëve tha se nëse do ta ftonte, ai do ta pranonte ftesën. Por ama, shtoi Berisha, shtrëngim duarsh mes të dyve nuk do të kishte.
“Shkoi në Bruksel si monist, njëlloj sikur të shkonin paraardhësit e tij. Mos u çuditni. Do ju tregoj një gjë nga historia, por të vërtetë. Nga viti ’86, qeveria hungareze dhe qeveria rumune, zhvillojnë tratativa të fshehta me Brukselin për t’i pranuar në BE. Brukseli u përgjigj, jo, tha, ju nuk mund të pranoheni sepse jeni në sferën e Bashkimit Sovjetik. I vetmi vend, e thanë në konfidencë, nga ish-komunistët që mund të pranohet është Shqipëria…por Shqipëria ishte armik me të gjithë botën. Nuk ka dyshim që ky shkoi si monist në Bruksel. Ndaj unë e kam shpallur atë armik të lirisë së shqiptarëve.
Natyrisht, po të ftonte do shkoja. Por ta harrojë se do të kishte shtrëngim duarsh me mua. Nuk mund të ndodhte kurrë ajo. Do të shkoja për të përfaqësuar ju, aspiratat demokratike të shqiptarëve. Pra, shkoi si monist, u kthye si monist. Natyrisht me dosjen në shpinë të inceneratorëve, me dosjen e Portit të Durrësit.”
/e.d