Nga Jakin Marena
Gjithnjë më ka habitur raporti i përmbysur i vlerësimit të ngjarjeve apo akteve pro dhe kundër ekzistencës e prosperitetit të shqiptarëve nga ana e ashtuquajturës elitë politike, mediatike dhe qytetare në Shqipëri.
Ndonëse shprehin bindjen për një situatë të caktuar, duke e vlerësuar drejt dhe saktë atë, ndonëse me një fjali kalimthi, “qendra e rëndesës” e gjithë diskutimit apo vlerësimit fillon e bie pas fjalës “por”, ku konsideratat personale për njërin apo tjetrin politikan e veprimtar, prevalon mbi të vërtetën duke dhënë një raport të përmbysur deri tek historia më e afërt shqiptare.
Kështu ka ndodhur dhe me qëndrimin e pjesës londineze të Shqipërisë në raport me shqiptarët në trojet e mbetura jashtë territorit shqiptar pas konferencës së Londrës, në Kosovë, dhe anasjelltas.
Nëse Sali Berisha si Presidenti i vendit në fillim të viteve ’90 por dhe më pas si kryeministër u punoi “qindin” shqiptarëve të Kosovës, që nga furnizimi me karburant i makinës ushtarake të Milosheviçit në thyerje të embargos së OKB, duke e mbajtur në këmbë për të kryer masakrat dhe në Kosovë, tek survejmi, burgosja e deri zhdukja e veprimtarëve dhe luftëtarëve për çlirimin e Kosovës, ku rastet më flagrante janë arrestimi i Adem Jasharit e Hashim Thaçit dhe zhdukja pa nam e nishan e Remzi Hoxhës, vihet re me dhimbje se gjithë “bateritë” e sulmeve të “patriotëve” në të dy anët e kufirit janë ndaj të majtës shqiptare.
Ka argumente të çuditshme, ku më evidentët janë këto: “Milosheviçi ishte i majtë, të majtë janë dhe këta socialistët”. “Fatos Nano u takua me Milosheviçin”, “Edi Rama është vlla me Vuçiçin”. Anipse Nano u takua me Milosheviçin sepse ia kërkuan partnerët tanë ndërkombëtarë, dhe ishte thjeshtë takim kortezie. Pavarësisht se me Milosheviçin, në kulmin e luftës në Kosovë dhe i detyruar u takua dhe Ibrahim Rugova, “ikona” e qëndresës së shqiptarëve ndaj regjimit serb dhe më pas President i Kosovës së lirë dhe të pavarur derisa dha frymën e fundit.
Pavarësisht se Berisha u takua me Milosheviçin në Shën Naum, apo me zëvendësin e tij Bulatoviçin, me Arkanin dhe gjithë sojin e sorollopin serb, në artikulimin politik dhe publik të “patriotëve” tanë në të dy anët e kufirit, prevalon vlerësimi pas fjalës “por…”. Dhe pikërisht këtu fillon saga e sulmeve pikërisht ndaj atyre që ndihmuan më shumë në çlirimin e Kosovës, dy “Fatosëve”, Fatos Nanos asokohe kryeministër dhe Fatos Klosit ish kreut të shërbimit inteligjent shqiptar dhe njerëzve të tjerë kontribues. Justifikimi për sulmet ndaj tyre dhe “kursimit” të Berishës ishte mes të tjerave se “ata nuk e kanë emrin Salih”. Absurditet deri në marrëzi.
I përmendëm këto elementë për të analizuar pak më në detaje sjelljen ndaj aksionit brilant mund të themi të kryeministrit aktual Edi Rama për mbrojtjen e Kosovës dhe mbi të gjitha për heqjen e baltës ndaj luftës çlirimtare të saj dhe ish komandantëve që janë mbyllur padrejtësisht në burgun e Gjykatës Speciale të Hagës.
Edi Rama, sa herë që i është dhënë rasti, në mes të Beogradit, në mes të Brukselit, në Ohër apo ku ka qënë ka deklaruar se Kosova është shtet i pavarur, dhe i ka bërë thirrje sy për sy Presidentit serb Aleksandër Vuçiç që ta njohë Kosovën, pasi është në të mirë të Serbisë.
Madje së fundmi në takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Stoltenberg për projektin e ngritjes së bazës ushtarake detare të Aleancës në Porto Romano, kërkoi që Kosova të përfshihej në “Partneritetin për Paqe”, duke ngritur stuhi sulmesh në Serbi e deri në Rusi.
“Patriotët” tanë në të dy anët e kufirit, ata që nuk dinë as të mbushin armën jo më të kenë luftuar, apo që nuk kanë lëvizur jashtë territorit të Tiranës apo kryeqyteteve të tjera të botës të “populluara” nga shoqata që paguajnë projekte për “hardhinë”, mbrojtjen e gazetarëve, ndonëse të përfituesit s’kanë punuar asnjë sekondë gazetar, nuk lënë rast dhe “bisht” pa kapur për të sulmuar. Kur kanë të drejtë mirë bëjnë, por këto raste janë aq të rralla sa në një vend normal me një elitë normale politike dhe qytetare nuk ia vlen të merresh.
Pasi për hir të së vërtetës atë që ka bërë Rama për Kosovën nuk e ka bërë tërë administrata e qeverisë së Kosovës, që nga Presidentja aktuale e deri tek “ushtari” më i fundit i qeverisë së Prishtinës. Përkundrazi, më se një rast kontribuan për baltosjen e UÇK dhe aleatëve të saj që luftuan për çlirimin e Kosovës, duke kontribuar fort dhe për interes politik që Hashim Thaçi dhe ish komandantët e kësaj lufte të mos e shohin “dritën e diellit” por të qëndrojnë mbyllur në Hagë.
Pavarësisht se nuk ka asnjë akuzë për ta, pavarësisht se argumenti për të cilin u ngrit Gjykata Speciale e Hagës për krimet e luftës në Kosovë dhe në emër të dë cilës janë burgosur ish komandantët, ka rënë. Nuk figuron as zyrtarisht në dosjet e prokurorëve specialë të Hagës që po shqyrtojnë dhe përgatisin akuzat për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe emrat e tjerë të luftës.
Bëhet fjalë për akuzën e bazuar në raportin e eurodeputetit zviceran Dick Marty, sipas të cilit në Kosovë gjatë luftës dhe pas saj është bërë trafik organesh njerëzore, duke akuzuar rëndë UÇK-në.
Shpikën dhe “Shtëpinë e Verdhë” në Burrel të Matit, e cila u inspektua nga zyrtarë të UNMIK e Hagës dhe që kishin si “kallauz” ish kreun e PD Lulzim Basha. I cili asokohe punonte bashkë me Argita Berishën për UNMIK-un por dhe furnizonte grupin fakt-mbledhës me ankesa, “prova” e “fakte” të serbëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, që sipas tyre ishte ushtruar genocid nga UÇK.
Nuk është sekret, e kanë pranuar dhe vetë prokurorët e Hagës, se në dosjet e tyre me shumicë kanë “prova” dhe “fakte” të servirura nga prokurorët serbë. Dosje të cilat janë mbushur dingas nga misionet fakt-mbledhëse të Lulzim Bashës dhe Argita Berishës, të cilët punonin në të dy krahët. Por dhe paguheshin po në të dy krahët. Madje “majmërisht” nga prokurorët serbë. Ndaj askush s’duhet të bëjë të habiturin politik dhe të pyesë se “nga mbiu ky Basha në lidershipin e PD”. Gjërat janë të lidhura, por thjeshtë dhe vetëm duhet pak kujtesë. Qoftë dhe e “stimuluar”.
Që të rikthehemi në situatën aktuale, pas deklaratës së Ramës javë më parë se do ta ndjekë deri në Këshillin e Europës dhe në Hagë padrejtësinë e burgosjes së Thaçit dhe ish komandantëve, pas deklaratës mu në mes të Brukselit dy ditë më parë se Këshilli i Europës ia ka borxh një falje Kosovës për baltosjen e UÇK dhe burgosjen pa të drejtë bazuar në një raport të Dick Martyt që nuk ekziston tashmë në asnjë prej akuzave të formuluara nga prokurorët në Hagë ndaj Thaçit dhe të tjerëve, mazhoranca ka kaluar në veprime konkrete.
Të enjten do të miratohet rezoluta kundër raportit të Martyt, një raport në të cilin pretendohet se UÇK ka kryer krime kundër njerëzimit. Sipas projektrezolutës raporti i Dick Marty-t për vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri apo në Kosovë, mbetet i paargumentuar, i paprovuar e i pabazuar në prova e fakte e, për rrjedhojë, duhet të konsiderohet si i tillë nga të gjitha institucionet kombëtare e ndërkombëtare.
Lidhur me këtë, PS propozoi këtë rezolutë mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri, ndërsa i kërkon Këshillit të Europës E që të realizojë një raport vijues dhe rishikimin e rezolutës së Dick Marty-t në 2011-ën.
Votimi do të jetë të enjtën, ndërkohë mbetet mister se si do të votojnë deputetët e udhëhequr nga Sali Berisha. E themi këtë jo pse Berisha ka pasur një përplasje të fortë me Hashim Thaçin, por sepse qeverisja e Sali Berisha është shprehur zyrtarisht pro raportit të Dick Marty, pasojë e të cilit tashmë në Hagë ndodhen të burgosur drejtuesit kryesorë të UÇK. Dhe kjo nuk është hera e parë që UÇK dhe liderët e saj janë përballur me akuza dhe përbaltje dhe jo vetëm nga shteti serb.
Për të bërë “dy gram” histori, nënvizojmë se në vitet 2011 kur Kosova kishte pak vite që shpalli pavarësinë, ishte senatori Dick Marty i cili hartoi një raport dhe një rezolutë ku ngriti akuza të rënda për vrasje dhe për egzistencën e një spitali brenda territorit shqiptar, ku serbë dhe jo vetëm, të kapur rob, ju merreshin organet. Marty akuzonte UÇK si organizatore të trafikut të organeve. Nga qeveria e Berishës u lejua dhe të investigohej në Shqipëri, ndonëse pa asnjë rezultat.
Raporti i tij problematik në fakt ngriti një hije dyshimi të fortë dhe hodhi baltë ndaj luftës së UÇK. Senatori e paraqiti këtë raport në asamblenë parlamentare të këshillit të Europës ku janë të prezantuara shumë vende Europiane, mes tyre dhe Shqipëria. Delegacioni shqiptar në këtë asamble, bëhej fjalë për vitin 2012, përbëhej nga ish kryeministri Berisha, deputeti demokrat dhe ish numri dy i qeverisë së Berishës, Ilir Rusmali si dhe dy deputetët Damian Gjiknuri i PS nga opozita dhe Shpëtim Idrizi i PDIU. Në raportin e votimit të rezolutës së Dick Marty thuhet se deputeti i PD, përfaqësuesi i qeverisë së Berishës Ilir Rusmali votoi pro raportit. Ndërsa Shpëtim Idrizi dhe Damian Gjiknuri ishin mes deputetëve që votuan kundër. Në fjalën e tij ku jepte argumente se përse asambleja duhet të votonte amendamentet e propozuara nga delegacioni shqiptar, Gjiknuri e quante raportin fiction politik dhe triller ligjor:
“Ne duhet ta zhveshim tekstin nga nuancat politike, që dukshëm njollosin njërën palë, shqiptarët dhe UÇK -në. Rishikimi i pjesës hyrëse duhet të arrijë një drejtpeshim të tillë në rezolutë dhe të sigurojë një bazë të mirë fillese për të gjitha palët, që të nisin ose të vazhdojnë përpjekjet për të adresuar krimet e dyshuara”. Pra që në atë kohë socialistët ishin kundër raportit të Marty.
Për këtë raport u propozuan 22 amendamentet, 18 prej të cilave u rrëzuan. Vetë Berisha nuk mori pjesë në këtë votim dhe u zëvendësua nga deputeti i PD, Kastriot Islami pa të drejtë vote. Por Rusmali, një nga drejtuesit e delegacionit, përfaqësues i qeverisë së Berishës, dhe deputet i PD dha votën e tij pro raportit të Dick Marty që akuzonte se UÇK kishte ngritur burgje ilegale dhe u merrte organet e trupit të burgosurve, serbë e shqiptarë. Pro amendamenteve të propozuar nga pala shqiptare votoi Ermira Mehmeti nga delegacioni i kuvendit të Maqedonisë së Veriut, e cila më pas abstenoi në votimin final.
Ndaj themi se kemi dilema për votën e Berishës dhe e deputetëve të tij në seancën e së enjtes pro rezolutës së paraqitur nga PS për dënimin e raportit të Dick Marty, në bazë të të cilit u ngrit dhe Gjykata Speciale e Hagës dhe u mbyllën në qeli ish komandantët e UÇK, duke filluar nga Thaçi.
Nuk besojmë se do kenë dilema “patriotët” tanë andej dhe këndej kufirit, të cilët dhe për këtë do të sulmojnë “armikun” në dizpozicion Edi Rama, me argumentin se kërkon të përfitojë politikisht nga kjo situatë, anipse do hiqet njolla mbi UÇK-në dhe ish komandantët me shpresë të zotit do të ketë një “as” më tepër për të dalë nga qelia. Për “patriotët” vetëm Rama s’duhet të jetë faktor.
I dashur Jakin.Sot ke bërë një analizë brilante,që të lë pa frymë për korrektesë,inteligjencën,faktet,argumentet logjike,analizën psikologjike të liderëve tanë politikë gjatë udhëheqjes së tyre .. Faleminderit shuuume.Sot meriton ⭐ dhe një ❤️.