Forcat e Guardia di Finanza-s në Verona kanë shkatërruar një grup shqiptarësh, të cilët merreshin me trafikun dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në këtë qytet si edhe të gjithë rajonin përreth. Mediat lokale bëjnë me dije se janë arrestuar pesë persona gjithsej, nga të cilët katër janë shqiptarë të moshave 31-41 vjeç, kurse njëri është tunizian.
Të gjithë ata merreshin me shpërndarjen e kanabisit dhe heroinës në Verona, Cerea dhe Sona. Gjatë operacionit, njëri prej personave ëshë kapur menjëherë pasi zbriti në aeroportin e Veronas nga një linje ajrore që ishte nisur në Rinas, raporton abcnews.al.
“Menjëherë pasi zbriti në aeroportin e Veronas pasi kishte fluturuar me një avion nga Shqipëria, ai u kap nga forcat e Guardia di Finanzas, të cilët e dërguan në komisariat ku edhe do të vijohet me procedurat përkatëse”, raportojnë mediat lokale.
Këto arrestime janë bërë në kuadër të operacionit të mëparshëm të kryer në shtator të vitit 2021 ndaj grupeve kriminale në zonë ku u sekuestruan disa kilogram heroinë, marijuanë dhe materiale të tjera të nevojshme për ndarjen, peshimin dhe paketimin e drogës, shkruan abcnews.al.
Operacioni i shtatorit 2021 hodhi dritë mbi teknikat e reja të ndarjes, përzierjes dhe paketimit të drogës nga grupi ku bënin pjesë edhe shqiptarët. Fill pas këtij operacioni sipas mediave italiane, shqiptarët kishin filluar të bënin shumë kujdes duke përdorur kanale të tjera komunikimi si edhe kode mes tyre.
Nga përgjimet për shembull, policia ka konstatuar gjuhën e koduar. Për shembull, kur donin të flisnin për ndarjen dhe paketimin e drogës ata thonin “do vij ta pjek mishin në skarë”, ndërsa kur flisnin për sasinë e drogës thonin “a kushton shumë apo si zakonisht?”. /abcnews
g.kosovari