Në një deklaratë për mediat, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla është shprehur se ditën e nesërme ne Parlament do të paraqitet rezoluta kundër raportit të Dick Martyn, një raport në të cilin pretendohet se UÇK ka kryer krime kundër njerëzimit. Balla ka thënë se Partia Socialiste e ka iniciuar atë mbi bazën e parimit se gjithçka duhet të hetohet.
Taulant Balla: Ne propozuesit iniciojmë këtë rezolutë mbi bazën e parimit se gjithçka duhet të hetohet. Kemi të bëjmë me një rast kur janë kryer verifikimet përkatëse dhe jemi në kushtet që të institucionalizojmë faktet dhe pas këtij momenti të iniciohet një raport dhe një rezolutë e re, rishikimi i atyre pretendimeve që sot nuk ekzistojnë më. Është në nderin e çdo anëtari që nesër të jetë në sallën e Kuvendit. Nesër duhet të jetë një moment solemn ku rëndësia që ka heqja e një balte të pamerituar të hedhur padrejtësisht kundër Luftës Çlirimtare të Kosovës. Nesër do të njiheni me të gjitha qëndrimet tona për luftën në Kosovë.
Mendoj që dokumenti i rezolutës është një dokument parimesh, mbërritja në këtë dokument ka kërkuar muaj me radhë pune dhe mendoj që dokumenti e ka brenda dhe këtë pjesë. Është një qëndrim i Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve. Përpjekja për të denigruar Luftën Çlirimtare në Kosovë është objekti thelbësor i kësaj rezolute. Ky është qëndrimi i duhur që duhet të mbajë sot Shqipëria. Falenderoj deputetët e Kosovës, dua të ju them se kanë qenë kontakte disamujore, falenderoj dhe mediat e Kosovës për një vëmendje për këtë dokument.
Gjatë fjalës së tij, Balla ka thënë se objektivi i radhës është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës.
Taulant Balla: Ne me deputetët e Kuvendit të Kosovës jemi në kontakt të përditshëm. Kjo legjislaturë do të mbahet mend si bashkëpunimi me deputetët e Kosovës ka arritur nivelin më të mirë të mundshëm në shumë vite. Ne kemi gati një dokument të rëndësishëm të një memorandumi partneriteti. Në Nëntor të këtij viti, do të kemi një seancë plenare të funksion të 2 institucioneve tona. Bashkëpunimi me Parlamentin e Kosovës është i shkëlqyer. Objektivi ynë i radhës është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës. Jemi në fazën e mbërritjes së konsensusit.
/a.r