Kryeministri Edi Rama e cilësoi integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian si një çështje për “jetë a vdekje” dhe jo si një çështje letrash e burokracish.
Gjatë fjalës së mbajtur në Konferencën e Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, Rama e vuri theksin te zbatimi i reformave në vend dhe veçanërisht reformës në drejtësi.
Shefi i qeverisë tha se sot Shqipëria ka një drejtësi të paanshme dhe të pavarur.
“Integrimi i plotë në Evropë për popullin shqiptar është një çështje për jetë a vdekje. Edhe pse u refuzuam për tre vite me radhë ne i vazhduam reformat tona, veçanërisht reformën në drejtësi. Natyrisht ka më shumë për të bërë por themelet për një sistem drejtësie të drejtë dhe të pavarur janë vendosur, Këto vite na kanë bërë më të vendosur në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Ne shkatërruam të gjithë pallatin e drejtësisë së vjetër dhe kemi ndërtuar një drejtësi të re.
Sot as teserat as paratë nuk mund t’iu mbrojnë më. Barazia përpara drejtësisë janë të mundshme këtu. Unë qëndroj këtu si lideri i një maxhoranca i zgjedhur në mënyrë demokratike që nuk ka mbrojtur askënd nga shigjeta e drejtësisë dhe nuk ka përdorur asnjëherë shigjetën e pushtetit për të ndryshuar rrjedhën e drejtësisë nda dikujt dhe kjo nuk ka ndodhur kurrë në të shkuarën”, tha ai.
g.kosovari