Sot Shqipëria nis bisedimet zyrtare me Bashkimin Evropian.
Drita jeshile u hap pasi Kuvendi i Maqedonisë së Veriut pranoi propozimin francez, duke zgjidhur kështu ngërçin me Bullgarinë.
Shqipëria mori statusin e vendit kandidat në qershorin e vitit 2014, në marsin e vitit 2020 Këshilli Evropian vendosi të hapë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe të sot procesi i negociatave nis zyrtarisht me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
Ditën e djeshme delegacioni shqiptar i kryesuar nga kryeministri Rama u nis drejt Brukselit.
Çfarë pritet të ndodhë?
Delegacioni përbëhet nga 25 zyrtarë, pjesë e grupit negociator me Unionin, kryesuar nga kryeministri, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe kryenegociatori Zef Mszi, të cilët do të ulen përballë përfaqësuesve të 27 vendeve anëtare të unionit në prani të përfaqësuesit të lartë të politikës së jashtme Josef Borrell, komisionerit për Zgjerim Oliver Varhelyi dhe ministrit të Jashtëm çek, vend që ka Presidencën e radhës së BE.
Përfaqësuesit e të dy palëve do të paraqesin kornizën negociuese e cila duhet të miratohet. Për Shqipërinë kjo do të jetë dhe çelja zyrtare e negociatave.
Çfarë përmbante propozimi francez?
Propozimi francez përbëhet nga shtatë pika. Pjesa që ka nxitur më së shumti debat është çështja e gjuhës dhe e kaluara historike, e cila është pjesë e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe si e tillë, kjo marrëveshje është e përfshirë dhe në propozimin francez.
1-Në pikën e parë të propozimit francez, thuhet se Këshilli Europian mirëpret vendosmërinë e Maqedonisë së Veriut për të vazhduar agjendën e reformave të Bashkimit Evropian dhe për të ofruar rezultate të dukshme dhe të qëndrueshme.
2- Pika e dytë e propozimit francez thekson se mirëpritet marrëveshja për protokollin e takimit të dytë të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar. Ky hap i rëndësishëm do të kontribuojë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit rajonal, të cilat mbeten elemente thelbësore në procesin e zgjerimit, si dhe procesin e stabilizimit dhe asociimit.
3- Në pikën e tretë theksohet se, “Në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Këshilli rikujton rëndësinë e arritjes së rezultateve të prekshme dhe zbatimit me mirëbesim të marrëveshjeve dypalëshe, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin (marrëveshjen) për fqinjësi të mirë me Bullgarinë”. Në propozimin francez gjuha maqedonase definohet si e tillë, pra gjuhë maqedonase pa sqarime plotësuese apo fusnotë, ndërkohë që apostrofohet se BE-ja do t’i notojë deklaratat e dy shteteve, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, në raport me gjuhën.
4- Në pikën e katërt të propozimit francez, krahas detyrimit për realizimin e reformave, theksohet se, “Këshilli në këtë drejtim mirëpret synimin e Maqedonisë së Veriut të nisë dhe të arrijë si çështje me prioritet ndryshimet kushtetuese, me qëllim përfshirjen në Kushtetutë të qytetarëve që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e njerëzve të tjerë, si bullgarët”. Përmes propozimit francez synohet tejkalimi i dallimeve që ka Maqedonia e Veriut me Bullgarinë dhe zhbllokimi i fillimit të bisedimeve për anëtarësim në familjen evropiane.
5- Pika e pestë e propozimit francez thotë se Këshilli vendosi të miratojë Kornizën e Negocimit për të mbajtur konferencën politike ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut për të paraqitur hapat e ardhshëm të procesit të zgjerimit.
6- Pika e 6-të e këtij plani parashikon që “Për të përfunduar këtë fazë të hapjes së negociatave të anëtarësimit, Këshilli gjithashtu vendos të thërrasë një tjetër konferencë ndërqeveritare me qëllim që të prezantojë Kornizën Negociuese dhe gjendjen aktuale të punëve përgatitore të kryera nga Komisioni dhe është gati ta mbajë pa vonesa të mëtejshme ose vendime të mëtejshme politike, sapo Maqedonia e Veriut të zbatojë angazhimin e saj për amendamentet kushtetuese të sipërpërmendura, në përputhje me procedurat e brendshme të saj.
7- Në fund të propozimit, thuhet se Komisioni Europian do të vlerësojë shkallën e gatishmërisë së Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave në fusha të caktuara dhe të identifikojë çështjet që ka të ngjarë të shfaqen në negociata.
Agjenda
E martë, 19 korrik
08.30 – Takim mes z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, z. Dimitar Kovaçevski, Kryeministër i Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe znj. Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Europian (Vendi: Selia e Komisionit Europian, Le Berlaymont, Rue de la Loi 200, 1049 Bruxelles) Formati: 1+2 Pjesëmarrës nga delegacioni shqiptar: Z. Edi Rama, Kryeministër Znj. Olta Xhaçka, Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme Z. Zef Mazi, Kryenegociator i Shqipërisë me BE
09.00 – Deklaratë e përbashkët shtypi e Kryeministrit Rama, Kryeministrit Kovaçevski dhe Presidentes Von der Leyen
11.00 – Mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare (Vendi: Europa Building, Rue de la Loi 155, 1040 Bruxelles)
Tryeza e parë
Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë Znj. Olta Xhaçka, Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme Z. Zef Mazi, Kryenegociator i Shqipërisë me BE Znj. Suela Janina, Ambasadore e RSH në BE Z. Besfort Lamallari, Zv/Ministër i Brendshëm Znj. Adela Xhemali, Zv/Ministër i Financës dhe Ekonomisë Znj. Adea Pirdeni, Zv/Ministër i Drejtësisë Znj. Reida Kashta, Drejtore e Agjencisë së Prokurimit Publik Znj. Elsa Dhuli, Drejtore e INSTAT
Tryeza e Dytë
Endri Fuga, Drejtor i Agjencisë për Media dhe Informim Znj. Romina Kuko, Zv/Ministër i Brendshëm Z. Julian Hodaj, Zv/Ministër i Brendshëm Z. Besart Kadia, Zv/Ministër i Financës dhe Ekonomisë Znj. Vasilika Vjero, Zv/Ministër i Financave dhe Ekonomisë Z. Ilir Bejtja, Zv/Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë Z. Roland Kristo, Zv/Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Znj. Ermira Gjeci, Zv/Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Znj. Ornela Çuçi, Zv/Ministër i Turizmit dhe Mjedisit Znj. Elira Kokona, Zv/Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Ministrave Znj. Odeta Barbullushi, Këshilltare e Kryeministrit për çështjet e BE Znj. Albana Koçiu, Drejtore e Departamentit të Administratës Publike Znj. Albana Agastra, Këshilltare e MEPJ Znj. Natasha Ahmetaj, Zv/Guvernatore e Bankës së Shqipërisë Z. Ami Kozeli, Drejtor i kabinetit të Kryenegociatorit me BE Znj. Admira Jorgji, Drejtore e Drejtorisë së BE në MEPJ 12.30 – Konferencë e përbashkët shtypi e z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, z. Jan Lipavský, Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Çekisë dhe z. Oliver Varhelyi, Komisioneri Europian për Zgjerimin
15.00 – Takim screening i z. Zef Mazi, Kryenegociator i Shqipërisë me BE
18.00 – Pritje e përbashkët me palën Maqedonase me rastin e hapjes së negociatave me Bashkimin Europian.