Nga Jakin Marena
Kryeministri Edi Rama duket i çliruar nga “makthi” i bllokimit të çeljes zyrtare të bisedimeve të Shqipërisë me BE për vite me radhë, teksa pas zgjidhjes së ngërçit të krijuar nga vetoja bullgare, të martën palët do të ulen zyrtarisht për të filluar negociatat e anëtarësimit.
Ndonëse nuk ka shprehur entuziasëm të dukshëm, thjeshtë është mjaftuar me një “për hajër”, kreu i qeverisë shqiptare pa humbur kohë ka përgatitur delegacionin zyrtar dhe pasditën e të hënës udhëtoi drejt Brukselit, për të nisur bisedimet për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Delegacioni përbëhet nga 25 figura të qeverisë e të administratës që janë elementët kyç në procesin e integrimit, duke nisur nga kreu i qeverise Edi Rama, shefja e diplomacisë Olta Xhaçka, kryenegociatori Zef Mazi, zv.ministrat e drejtorët që merren me çështjen e negociatave.
Të hënën mblidhen edhe ambasadorët e vendeve anëtare të BE e atëherë do të jetë edhe më e qartë agjenda e konferencës së parë ndërqeveritare BE-Shqipëri, pikat kryesore që do diskutohen në këtë mbledhje të parë dhe elementët e tjerë përbërës të hapjes së bisedimeve.
Është parashikuar që takimi të zgjasë 90 minuta dhe më pas do të ketë një konferencë për shtyp, me shumë gjasa krerët e dy delegacioneve, Edi Rama për palën shqiptare dhe ministri i jashtëm çek që ka presidencën e radhës së BE, për Brukselin zyrtar.
Ka qënë sfilitëse prej 8 vitesh, më shumë për shkak të paqartësisë së Europës dhe skepticizmit të saj për zgjerimin e Uninionit se sa për faj të Shqipërisë, pritja e stërmundimshme e qeverisë shqiptare por dhe e vetë shqiptarëve të marrë fund, dhe të shohin udhëtimin zyrtar të “krushqve” siç i perfrazon Rama përfaqësuesit e Shqipërisë drejt Brukselit, për të realizuar këtë “martesë” të kërkuar për vite me radhë nga qytetarët tanë. Një “martesë” e koklavitur e me shumë ‘naze’.
Nisja zyrtare e bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë me BE s’ka kaluar pa komente dhe nga politika shqiptare, sidomos ajo e opozitës. E cila si gjithnjë ka gjetur rast për të akuzuar mazhorancën dhe kryeministrin Edi Rama si shkaktarë të kësaj vonese të madhe.
Akuzat për korrupsion të qeverisjes, për politikë të gabuar në raport me partnerët, dhe për gjuhën arrogante ndaj liderëve të BE kanë qënë gjatë gjithë këtyre ditëve ‘mënyja’ kryesore e artikulimit politik publik të kreut të PD Sali Berisha dhe Presidentit në largim Ilir Meta. Të cilët janë dhe drejtuesit zyrtarë të opozitës duke filluar nga 24 korriku. Punë ditësh me një fjalë.
Nuk mund të themi në mënyrë të saktë se çfarë mund të ndjejnë shqiptarët kur dëgjojnë akuzat për korrupsion të dalë nga goja e Sali Berishës apo dhe të Ilir Metës. Perceptimi mund të jetë i ndryshëm. Por ajo për të cilën jemi të bindur thellësisht është se, sa herë që Berisha akuzon Ramën apo dikë tjetër për korrupsion, në mendjen e shqiptarëve do të shfaqet vendimi i SHBA për shpalljen e tij “non grata” familjarisht për korrupsion të theksuar. “Certifikim” më zyrtar se sa një vendim i DASH për një individ apo politikan se është i korruptuar thellësisht, nuk ka.
Apo kur Ilir Meta akuzon qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për korrupsion, jemi të bindur se të gjithë shqiptarët do të kujtojnë videon e të ndjerit Dritan Prifti, ku Presidenti aktual shfaqet me bllok në dorë duke kërkuar ryshfet 700 mijë euro. Ose tek e fundit do të kujtojnë vilën miliona euroshe në Gjirin e Lalzit të bërë me “djersën” e ballit duke kursyer si “qeni” dy rrogat e shtetit, dhe mbi të gjitha do të kujtojnë dhomën e banjën për macen, sikurse e deklaronte vetë Monika Kryemadhi, bashkëshorte e Metës dhe kryetare e deleguar e LSI, në atë intervistë të gabuar që dha për një nga gazetarët më kundërshtare të Ramës, dhe që u fshi pak më vonë nga google dhe youtube. Nuk është se nuk u rikuperua si intervistë, por hoqen mund dhe djersë për ta rikthyer sërish në sytë e publikut, me video apo dhe me foto.
Pra, gjatë gjithë kësaj kohe kur negociatat ishin bllokuar dhe kur shpresohej për të arritur një fund të lumtur për të parë “dritë në fund të tunelit” të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, Berisha e Meta, bashkë me mbështetësit e tyre nuk pushuan së akuzuari qeverisjen e PS dhe demonizuar Ramën, me qëllimin e vetëm nxirjen e Shqipërisë në sytë e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe krijimin e bindjes tek Brukseli zyrtar se Shqipëria nuk është gati për në BE.
Këtë qëllim pati Ilir Meta, teksa priti disa ditë më parë delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, që erdhi në Shqipëri për mbledhjen e fakteve mbi situatën e sundimit të ligjit, lirisë së medias dhe demokracisë në vend.
Kishin rënë dakord për të mos dhënë deklaratë zyrtare, por Ilir Meta nuk “duroi” dhe përmes një postimi në Facebook, shkruajti se gjatë takimit vuri në dukje fatkeqësisht shkallët që Shqipëria vijon të zbresë në të gjitha raportet ndërkombëtare për liritë ekonomike, krimin, korrupsionin dhe lirinë e medias.
Dhe në fund të herës, pasi e ka nxirë Shqipërinë në takim, u ka kërkuar evropianëve… hapjen e negociatave! Kjo më kujton një ndodhi të dëgjuar për kohën e diktaturës, kur një udhëheqës i PPSH së asaj kohe, në kuadër të promovimit të njerëzve të rinj nga “kllasa punëtore” për në shkallët e larta të hierarkisë partiake të asaj kohe, u interesua dhe për një drejtues lokal të ri me perspektivë.
Njeriu që e pyeti ishte vërtet “brilant” për nga shkalla e artikulimit dhe e groposjes së atyre që mendonte se do t’i zinin “pamjen”. Pasi i tha se personi në fjalë ishte punëtor, aktivist i dalluar partie, drejtues efikas dhe njeri i mirë, renditi shumë pozitivitete të tij, në fund të herës, si nën zë tha se kishte vetëm një gjë fare të vogël si të metë: kishte qejf femrat! Por që sipas tij, në morinë e gjërave pozitive që ishin mbledhur tek ai, një gjë kaq e “vogël” nuk ndikonte aspak për ngritjen e tij në detyrë.
Por motivacioni i këtij lloji në atë kohë të rrënonte dhe personi për të cilin interesohej udhëheqja e lartë e PPSH, jo vetëm që nuk u ngrit në detyrë, por u degradua aq fort sa dhe pas viteve ’90 nuk e mori më veten, duke dalë në pension i shkatërruar plotësisht. Thjeshtë dhe vetëm se i taksën diçka që se kishte pasur kurrë.
Kështu dhe Meta, pasi thotë tërë të zezat për Shqipërinë, duke bërë të qartë para përfaqësuesve të Brukselit se nuk e meritojmë çeljen e bisedimeve për anëtarësimin në BE, në fund i fut një apel për hapjen e negociatave. Një thirrje pa vlerë fare dhe hipokrite!
Në të njejtën linjë ka qënë dhe Sali Berisha ditën e sotme, i cili si një “non grata” klasik, të cilin nuk qas jo vetëm Uashingtoni që e shpalli të padëshirueshëm por as Brukseli, ndonëse nuk ka marrë vendim por zbaton vendimet e SHBA për të duke e lënë pas dere, i cili ka vendosur të japë “këshilla” dhe të paralajmërojë BE-në për Ramën dhe mënyrën se si duhet të sillen me të.
Duke e pasur fokusin tek këshilla ndaj BE, Berisha pikërisht të hënën i ka kërkuar Ramës që në përgjigje të vendimit të BE, të mos guxojë të provokojë partnerët e Shqipërisë, por të deklarojë se do të heqë dorë përfundimisht nga ligji i amnistisë fiskale. Pra i dërgon mesazh BE se duhet ta ashpërsojnë gjuhën ndaj Ramës, që të mos e hedhë për votim amnistinë fiskale.
Dhe e kërkon pikërisht Sali Berisha, njeriu që ditën e dytë që erdhi në qeverisjen e vendit për herë të dytë, punën e parë që bëri ishte dëbimi i FMN dhe institucioneve të tjera financiare nga Shqipëria për të pasur të hapur rrugën për aferën e Rrugës së Kombit, apo për afera të tjera, që nga Gërdeci e deri tek CEZ-DIA e kompleksi “Partizani”, e duke i humbur shtetit shqiptar miliona euro.
Ky është kompleksi i shqiptarit, i cili më mirë se sa të ndërtohet shtëpia e tjetrit, preferon të mbetet vetë pa shtëpi dhe komshiu apo dhe vëllai i tij të mbeten jashtë. Teksa e cilëson hapjen e bisedimeve me BE për anëtarësimin në Union, si një “pronë” të Ramës, Berisha, Meta dhe kundërshtarët politikë po përpiqen me të gjitha mënyrat që kjo rrugë të vështirësohet sa më shumë. Anipse e pësojnë shqiptarët. Pasi ne kemi qënë gjithnjë armiqtë e vetëvetes.
E kemi treguar në vitin 1996 kur Shqipëria ishte në prag të anëtarësimit dhe vjedhja e zgjedhjeve nga Berisha e ndërtimi i ekonomisë piramidale mashtruese, na rrëzoi në shkallët e fundit, për të na bërë gropën pikërisht në marsin e vitit 1997 kur shteti u shpërbë nga themelet dhe Shqipëria jo vetëm që nuk mund të anëtarësohej në BE si i barabartë mes të barabartëve, por solli dhe nevojën e thirrjes së trupave të Aleancës për të qëndruar në mes nesh, që të mos vritemi me njëri tjetrin.
Kështu dhe në vitin 1998 kur Berisha realizoi grushtin e dështuar të shtetit, kështu deri më 2002, kur për shkak të korrupsionit të theksuar të qeverisë së Ilir Metës, as kredi nuk i jepnin shtetit shqiptar, pasi kishin bindjen se do të përvetësoheshin nga armata e “uritur” e zyrtarëve të korruptuar.
Kështu vit pas viti, herë në një formë e herë një një tjetër, i kemi vendosur “gurë nën rrota” integrimit të Shqipërisë në BE. Kaq donin skeptikët europianë, për të na bllokuar. Ka ardhur koha, që vetëm njëherë, po njëherë të vetme ama të jemi në një zë: Të bashkohemi për integrimin e Shqipërisë në BE. Përfitojnë të gjitha palët, dhe mbi të gjitha ata që me votën e tyre mbajnë këtë klasë politike në këmbë. Njëherë të vetme të “sakrifikojë” politika dhe të jetë bashkë. Do ua dinin për nder. Sepse BE s’ka nevojë për “këshillat” e Berishës dhe Metës se si duhet të kenë kujdes ndaj Ramës. Do të ishte “fundi” i botës po ta merrnin për bazë një këshillë të tillë!
A mund te besigen shkaterruesit e demokracise dhe shtetit shqiptar ?