Nga Ylli Pata
Përkujtimi i një nga ngjarjeve më të tmerrshme të diktaturës komuniste, asaj të vrasjes së poetëve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, tashmë prej vitesh po merr edhe një karakter “politik”. E kjo vjen nga shumë eksponentë që janë afruar nga Lulzim Basha apo sot nga Enkelejd Alibeaj afër “parisë” së PD-së, të cilët i përkasin shtresës reale të viktimave të “golgotës” enveriane në 45 vjetët e sundimit të tij.
Ky qëndrim është kthyer hapur në frustracion, pasi politikisht nuk ka qenë partia që duhej të ishte e atyre që u përballën me regjimin, e cila i ka nderuar viktimat, ka ndjekur modelin libertar të tyre, si dhe kanë afruar ata njerëz që rridhnin apo morën si model këto përfaqësues mjaft të rëndësishëm të asaj që mund të cilësohen edhe si si rrënja apo themelet morale të një opozitë që vjen në skenë si përfaqësuese e vlerave demokratike, libertare, por mbi të gjitha properëndimore, të një sërë brezash të martirizuar.
Arben Zajmi, një gazetar i njohur dhe me përvojë kryesisht për Shkodrën shkruan për rastin Leka e Blloshmi në faqen e tij:Pervjetori i vrasjes se poeteve. Por diktatura ka çdo dite pervjetor vrasjeje. Ka pervjetorin e terrorit, te izolimit, vorfnise e ûsë. Pervjetoret kalojne njeni mbas tjetrit. Asgjâ nuk ndodh. Ju kujtohen funeralet e tē deklasuarve? Vetem nji grusht njerezish me i hjedhe nji grusht dhé tē pafatit. Persekutoret marrin dekorata e pensione tashti. Pervjetoret kalojne e asgjâ nuk leviz”.
Ky fatalitet i shprehur nga Zajmi, nuk është aspak rast por një fenomen i përhapur kryesisht tek eksponentët dhe pasardhësit e emrave më të shquar të qendrësës ndaj dikataturën, në lidhje me shoqërinë shqiptare, por edhe brezat që po vijnë.
Sipas tyre kjo shoqëri nuk është e ndjeshme dhe siç shprehet Zajmi, po i le vetëm. Në fakt nuk është aspak kështu. Shoqëria shqiptare, e sidomos brezat që u bashkuan për të mos e pranuar më modelin e diktaturës së një partia në 1990, donin dhe duan pikërisht një Shqipëri të bashkuar në mesazhin kundër dhunës, pro lirisë, e natyrisht për të nderuar martirët.
Ka qenë Partia Demokratike e Sali Berishës që e ka bërë këtë lojë që në fillim, se “jo nuk duhet të ngacmojmë njerëzit se ata në thelb janë si shalqiri; jashtë jeshil e brenda të kuq” e dokrra të tilla, që synonte vetëm një gjë: të mos fuqizonte dhe shënjonte që kjo shtresë e përvuajtur të jetë “vitrina morale” e një opozite antikomunistre në Shqipëri.
Madje përkundrazi i kanë larguar e herë pas here sulmuar. Siç ndodh sot me mjaft emra të njohur familjesh qëndrestare që nuk e shohin me sy Sali Berishën, e pjesa radikale e rrjetit nuk le gjë pa u thënë duke i quajtur të “viktima të sindromës së Stokholmit”, vetëm e vetëm se nuk e qasin idhullin e tyre.
Është pikërisht ky “idhull” që tentoi t’i përçante dhe e ka shpërdoruar kauzën e fortë që përfaqësojnë viktimat e dhunës së diktaturës. Vetëm një afrim të lehtë që u bëri Basha atyre që e përfaqësojnë këtë kauz dhe PD nisi të vibrojë si një forcë “anti-holokaust”. E këtë shoqëria shqiptare e ka pranuar me dëshirë që në fillim, por edhe sot brezat që vijnë e janë më të ndjeshëm ndaj vlerave humane apo dhunës së shtetit.
Në 1996-n në Shkodër nuk ishte aspak e rastësishme se të gjithë militantët e së djathtës tradicionale si Balli e Legaliteti votuan së bashku me socialistët një kandidat të së djathtës dhe përfqësues i viktimave të persekutimit komunist.
Siç PS-ja ka si “rrënjë morale” të saj antifashizmit dhe dëshmorët e Luftës Nacional Çlirimtare, e djathta duhet të ketë ata që u martirizuan nga Enver Hoxha, i cili keqpërdori fitoren e Luftës ndaj fashizmit, si një atu për tu kthyer në një vassal të Moskës. Ndërkohë, një alterego antikomunist i Hoxhës përdor e kërkon të përdorë viktimat e komunizmit për një luftë me Perëndimin.
Një i burgosur i komunizmit si Fatos Lubonja, mund të ketë qëndrime e qasje të ndryshme me SHBA, por nuk ka sesi se aid he përfaqësuesit e kësaj shtrese të jenë anti-amerikanë sepse SHBA ka ndëshkuar disa politikanë të korruptuar të saj.
Kjo rrit edhe më shumë rrënjët morale të një opozite vlerash e parimesh, e jo idhujsh të rremë, të cilët nuk kanë lidhje as me parimin, as me dialektikën e as me kohën”…