Pesë policë janë lënduar në Leposaviç derisa po tentonin ta ndalonin një kamion që kontrabantonte mallra.
“Kamioni që kontrabandonte mallra, gjatë tentimit për shmangje të ndaljes dhe arrestimit nga policia, godet veturën policore disa herë, rrezikon jetën e drejtpërdrejt të zyrtarëve policorë dhe lëndon pesë prej tyre”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas njoftimit, policia kufitare në asistencë të njësisë së Inteligjencës, në tentim për ta ndaluar kamionin i cili dyshohet qe kishte mall të kontrabanduar, i cili ishte duke lëvizur në drejtim të magjistrales Mitrovicë-Jarinjë, kanë bërë bllokimin e pjesshëm të rrugës, me dy vetura policore, me drita rotative të ndezura, me qëllim të sinjalizimit me kohë, për vozitësin e kamionit për tu ndaluar.
‘Policia e Kosovës në fillim ka ndaluar një veturë me ngjyre të zezë, targa të panjohura dhe shoferi i saj dyshohet që ishte duke komunikuar në telefon me vozitësin e kamionit”.
“Kamioni i dyshuar me një shpejtësi të madhe ka ardhur në drejtim të veturave dhe zyrtarëve policorë, me qëllim goditjen e tyre dhe me këtë rast, kamioni ka goditur një veturë zyrtare policore”.
Sipas policisë, përkundër të gjitha sinjalizimeve për tu ndalur duke përfshirë edhe bateritë ndriçuese, i njëjti nuk ka zbatuar urdhrin ligjor të zyrtarëve policorë dhe ka vazhduar me vozitjen.
Në njoftim thuhet se zyrtarët policorë me qëllim të ruajtjes së jetës së tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në trafik, ruajtjes së pronës si dhe zbatimit të ligjshmërisë kanë vazhduar me përcjelljen e kamionit, duke sinjalizuar gjatë gjithë kohës me alarm dhe rotacion si dhe me drita të gjata të automjetit që të ndalohet.
“Mirëpo i njëjti nuk ka përfillur urdhrat e dhëna dhe ka vazhduar në drejtim të magjistrales Mitrovicë –Jarinje, duke zhvilluar gjatë gjithë kohës shpejtësi shumë të madhe dhe duke rrezikuar të gjithë pjesëmarrësit e tjerë në trafik”.
Prandaj, në përpjekje e sipër për ta ndaluar, “vozitësi i kamionit e ka goditur veturën policore për herë të dytë, duke u shkaktuar lëndime zyrtarëve policorë si dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale”.
Pas gjithë kësaj, policët janë detyruar ta përdorin armën zyrtare.
“Duke parë rrezikun e lartë për jetën e zyrtarëve policorë si dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik, zyrtarët policorë kanë ndërmarr veprimet e domosdoshme dhe proporcionale me qëllim të ndalimit të rrezikut duke edhe përdorur armën zyrtare”.
“Pas të gjitha veprimeve ligjore zyrtarët policorë, në fshatin Llazhinë kanë arritur të ndalin kamionin dhe me këtë rast kanë arrestuar vozitësin e kamionit, personin e dyshuar A.D”.
/a.r