Zona ku është rrëzuar mbrëmjen e 16 korrikut avioni Antonov 12 është një tokë bujqësore afër dy fshatrave që janë pjesë e komunës Paggaio, në veri të Greqisë.
Piloti arriti të lajmëronte autoritetet për një problem në një nga motorët e avionit dhe iu dha zgjedhja e uljes në aeroportin e Selanikut ose të Kavalës. Ai zgjodhi Kavala, e cila ishte më afër, por avioni u rrëzua rreth 40 kilometra (25 milje) në perëndim të aeroportit, tha autoriteti i Aviacionit Civil të Greqisë.
Flitet që në avion kanë qenë 8 persona në bord ndërsa nuk dihet ende se çfarë ngarkese, prej 12 tonësh ishin në avion që konsiderohen të rrezikshme. Flitet që ngarkesa ka të bëjë me municione.
Dëshmitë e banorëve janë tronditëse.
Ata kanë parë avionin duke u djegur dhe që fluturonte mbi fshatin e tyre përpara se të binte disa dhjetra kilometra në juglindje,afër malit Pangaios (në prefekturën e Kavallës).
Më pas kanë dëgjuar përplasjen dhe shpërthimet.
Në zonë era e karburantit që digjet është shumë e fortë, dhe reja e tymit është gjithashtu e trashë, ndërsa zjarret janë shumë të vogla dhe nuk ka rrezik rindezjeje.
Dy zjarrfikësit, të cilët ndodheshin pranë vendit ku ka rënë avioni, kanë pësuar probleme me frymëmarrjen dhe janë dërguar në Spitalin e Përgjithshëm të Kavallës. Sipas informacioneve nga Zjarrfikësja po punojnë 15 zjarrfikës dhe 7 automjete.
Banorët dhe autoritetet flasin për një mrekulli pasi avioni nuk është përplasur në një zonë të banuar.
/a.r