Nga Dritan Gremi
Sa fajtorë jemi për ikjen e të rinjve jashtë vendit për një jetë më të mirë?
“Kërkojmë staf”. Duket se është kjo “shpallja” që ka dominuar vitrinat e dyqanave dhe lokaleve këtë verë, ashtu sikurse bisedat e sipërmarrësve, të cilët shpesh ndjehen të humbur në betejen për të gjetur stafin e duhur.
Situata bëhet edhe më sfiduese për baret, hotelet dhe restorantet e plazheve, të cilëve përveçse ju duhet staf, i duhet edhe i kualifikuar. Ndërkohë, përpjekja e dëshpëruar për t’ja dalë mbanë, mbyllet shpesh me fjalinë: Nuk duan të punojnë!
Është kjo njëra anë e medaljes, këndvështrimi i punëdhënësve, që duket se edhe këtë herë ashtu si shumë herë të tjera i kanë rënë shkurt, në kohë e në mendje.
Nga ana tjetër janë ata, punëmarrësit. Shpesh të rinj, me ëndrra, dëshira, pasione dhe ambicje. Ndonjëherë mbase edhe të keqkultivuara, por jo për fajin e tyre. Janë ata, që tashmë të lodhur nga përballja me punëdhënësit, refuzojnë.
Refuzojnë të punojnë për një punë të shpërblyer keq e mbi të gjitha të patrajtuar me dinjitet.
Në këmbim, disa prej tyre e refuzojnë punën pavarësisht nevojave financiare e të tjerë akoma, largohen jasht vendit.
Kështu krijohet vakumi. Këtu nis kriza e sipërmarrësve dritëshkurtër, që tashmë kthejnë sytë nga Bangladeshi e Filipinet në kërkim të stafit, apo detyrohen më keq akoma edhe të mbyllin dyert e bizneseve të tyre pikërisht për këtë arsye.
Por para se të vinin në këtë pike:
Sa prej tyre shpërblyen me një pagë të kënaqshme punonjësit që kishin?
Sa prej tyre i trajtuan ata me dinjitet dhe personalitet?
Sa prej tyre siguruan orë optimale pune dhe kushte po aq optimale?
Le të mos pyesim pastaj, se sa prej tyre investuan që stafi të kualifikohej edhe më shumë duke siguruar jetëgjatësi në këtë profesion?
Pak, për të mos thënë aspak.
Le të mos harrojmë se në shumë nga resortet e jugut por jo vetëm, të rinjtë e punësuar flinin në çadra kampingu, pa kushtet minimale higjenike dhe të jetesës.
Le të mos harrojmë se shumë tjerë, pas 12 apo 16 orësh punë, nuk kishin komoditetin e një dushi të freskët, të një gjumi të qetë apo edhe të një ushqimi cilësor. E si mund të pretendosh që kamarieri apo baristi të vijë i larë dhe i hekurosur në punë kur s’i ke krijuar kushtet minimale të jetesës, kur nuk i ke ofruar as edhe një dollap ku të vendosë rrobat?!
Gjithçka e ofruar në minimum, me kërkesat ndaj tyre në maksimum: Orë të gjata pune, pa pushimin e javës e mbi të gjitha me një rrogë qesharake. Ah po, sipas punëdhenësit kishte bakshishin, të cilin nëse nuk ia linin do duhej ta fitonte ndryshe, pra ta vidhte tek klientët. Dhe për këtë pronari ishte koshient, mjafton që paraja të mos dilte nga xhepat tij, që asokohe ishin plot. Flas për ato kohë të “arta” të tyre kur beach baret, restorantet, hotelet apo resortet, në rastin më të mire deklaroheshin si biznese të vogla, ose më keq akoma ishin totalisht të padeklaruara, pra gjithcka në xhepin e tyre, ndërsa puntorët trajtoheshin si skllevër me 300.000 lekë rrogë në muaj (plus bakshishin patjetër).
Fatmirësisht jetojmë në kohë, kur nuk kërkojmë skllevër, por njerëz, punonjës dinjitozë e të kualifikuar. Vetëm kështu një biznes mund të ecë përpara. E kështu mund të çojë përpara edhe vendin e tij!
Sa prej sipërmarrësve që sot ankohen tavolinave se të rinjtë nuk duan të punojnë dhe se shqiptarët po ikin, e kanë pyetur veten mbi arsyet që i shtyjnë këta të rinj t’i thonë jo punës edhe pse mund të kenë nevojë për të?
Çfarë u ofron Gjermania apo vendet e tjera ku ata emigrojnë, që ne nuk ja japim dot? Pikërisht këtë: Dinjitetin, trajtimin njerëzor, kushtet optimale të punës dhe një të ardhme, sigurisht. Një të ardhme në vendin e tij të punës, pa frikën se mund ta humbasë atë edhe për shkak të humorit të keq të shefit!
Nëse në restorantet jashtë vendit shihni kamarierë dhe banakierë 40, 50 apo 60 vjeçare e keni pyetur veten përse?
Sepse janë ndjerë të vlerësuar, sepse paguhen për të qenë aty, sepse janë kualifikuar për të kryer atë profesion, që ndryshe nga sa ndodh këtu, atje nuk paguhet me pagë minimale, nuk ndihet i përbuzur dhe nuk shihet si një moment tranzicioni i tipit: Ta shtyj sa ta shtyj.
Të gjithë jemi dëshmitarë të rritjes që kanë pësuar çmimet në këto 3 vitet e fundit. Çdo sipërmarrës i ka rritur, kush më shumë, e kush më pak. A mund të më thotë dikush sa është reflektuar kjo rritje në rrogat e punonjësve, apo kanë menduar vetëm të mbulojnë rritjen e kostove të tyre dhe rrogat kanë ngelur të njëjta? Për fat të keq po, në pjesën më të madhe rrogat nuk kanë ndryshuar.
E pra të dashur sipërmarrës, para se të ankohemi për punëtorët, për shtetin, apo për gjithçka tjetër që ndikon në uljen e fitimeve toma, le të plotësojmë fillimisht detyrimet e pastaj të kërkojmë të drejtat që patjetër na takojnë.
Duhet që së pari ta fillojmë nga vetja! Paguajmë, vlerësojmë, respektojmë punën e çdo punëtori që rrit biznesin tonë dhe më pas kërkojmë llogari sa të duam!
Mos harrojmë, që sipërmarrja është mision, ndërsa paraja dhe pushteti janë përgjegjësi shumë e madhe ndaj vetes dhe të tjerëve.
Shqipëria ka patjetër shumë sipërmarrës të ndershëm dhe vizionarë, ndaj nuk do doja në asnjë mënyrë ti fusja të gjithë në të njëjtin kallëp, por mendimi im është që kriza e mungesës së punonjësve është një krizë e shkaktuar nga vetë sipërmarrësit, mania për të fituar pa rregulla, mungesa e strategjive afatgjata dhe dritëshkurtësia e tyre. Le të mos çuditemi për gjendjen ku jemi sot!