Nga Arjan Dyrmishi* dhe Eduard Zaloshnja*
Përmes mbështetjes së fondacionit gjerman Friedrich-Ebert-Stiftung, Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes ka zhvillur që prej vitit 2019 Barometrin e Sigurisë.
Barometri i Sigurisë synon të kontribuojë në debatin publik mbi politikat e sigurisë dhe zbatimin e tyre, përmes matjes së opinionit dhe qëndrimit të qytetarëve mbi sigurinë si një funksion themelor i shtetit të së drejtës dhe një prej aspekteve më përcaktuese të çdo shoqërie demokratike.
Barometri fokusohet në një gamë të gjerë çështjesh të sigurisë, duke kontribuuar në ndërgjegjësim më të mirë të aktorëve të ndryshëm shoqërorë dhe në përmirësimin e debatit publik lidhur me politikat e sigurisë.
Këtë Barometri e realizon duke përdorur të njëjtën metodologji rigoroze në kampionim e anketim, gjë që krijon mundësinë e krahasimit nga viti në vit të gjetjeve kryesore të barometrit.
Raportet e plota mbi Barometrin e Sigurisë gjenden në faqen e Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, por në këtë shkrim pasqyrohen trendet kryesore të gjetjeve për tre aspekte te vrojtuara periudhën 2019-2022: opinioni për kërcënimin më të madh, vlerësimi për angazhimin e institucioneve në luftën ndaj krimit të organizuar, dhe Vendet me ndikimin më të rëndsishme për sigurinë e Shqipërisë.
Përsa i përket kërcënimimeve, gjatë gjithë periudhës 2019-2022, pothuaj 2/3 e shqipëtarëve e kanë konsideruar korrupsionin si një nga dy kërcënimet më të mëdha për sigurinë e vendit.
Përpara fillimit të luftës në Ukrainë, krimi i organizuar rreshtohej i dyti në listën e kërcënimeve më të mdha, por me rritjen e tensionit në Ballkan pas fillimit të invazionit të Rusisë në Ukrainë, lufta me vendet fqinje i ka zënë vendin krimit të organizuar në këtë listë (shihni grafikun e mëposhtëm).
Shënim: Të anketuarve iu lexua një listë me 10 kërcënime për sigurinë e vendit, nga të cilat mund të zgjedhnin dy kërcënimet më të mëdha.
Gjatë gjithë periudhës 2019-2022, më shumë se gjysma e shqiptarëve kanë patur vlerësim negativ për luftën e shtetit ndaj krimit të organizuar. Luhatjet e vogla nga viti në vit janë brenda marzhit të gabimit statistikor të sondazhit (shihni grafikun e mëposhtëm).
Kjo është një gjetje e rëndësishme po të kihet parasysh se lufta ndaj krimit të organizuar është një nga prioritetet kyce të vendosura nga Bashkimi Evropian.
Përsa i përket shteteve me ndikim në sigurinë e Shqipërisë, në vitin 2019, Gjermania shihej si vendi më të rëdnësihme, por vitet në vijim opinion i qytetarëve është spostuar në drejtim të SHBA, diferencë të madhe pas fillimit të luftës në Ukrainë. Po kështu ka patur një rritje të madhe numri i qytetarëve që mendojnë se Turqia ka ndikimin më të rëndsishme për sigurinë e Shqipërisë (shihni grafikun e mëposhtëm).
Shënim: Të anketuarve iu lexua një listë me 10 vende të rëndësishme për sigurinë e vendit, nga të cilat mund të zgjedhidhni dy më të rëndësishmet.
*Arjan Dyrmishi është Drejtor i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes,
*Eduard Zaloshnja ka drejtuar punën statistikore të anketimit për Barometrin e Sigurisë