Bashkimi Europian duhet të fokusohet në shpërblimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për progresin në rrugën drejt anëtarësimit. Kjo është një kërkesë të cilën Sllovenia e konsideron të rëndësishme për të krijuar nxitje për vendet e rajonit, në mënyrë që të vazhdojnë të ndjekin qëllimin final të procesit.
“Problemi tani është se ekziston vetëm një qëllim, i cili është shumë i largët në të ardhmen. Vendet kandidate duhet të bëjnë një hap tepër të madh përpara se të bëjnë ndonjë përparim. Kjo nuk është shumë motivuese. Por, nëse ne thjesht mund ta ndajmë atë në hapa të vegjël dhe më pas lejojmë secilin vend të shohë se pasi të bëjë atë hap, ka diçka për të, atëherë është shumë e lehtë të bindësh vendet e tjera që ata bëjnë të njëjtat hapa gjithashtu”, tha Kryeministri Robert Golob.
Ai dha një shembull konkret duke sugjeruar që Maqedonia e Veriut të lejohet të marrë pjesë në projektet energjetike europiane pasi të implementojë plotësisht të gjitha rregullat e BE-së në këtë sektor. “Këto lloj gjërash, të cilat momentalisht nuk janë të mundura brenda legjislacionit europian, mund të sillte një vrull për të thënë: ‘ne do të vazhdojmë në ato sektorë ku ne shohim se mund t’i përmbushim shpejt dhe ku ka një shpërblim të qartë pas çdo hapi që ne bëjmë’”.
Vitet e pritjes për anëtarësim kanë çuar në zbehjen e entuziazmit dhe pakënaqësi ndaj Bashkimit Europian në shumë vende të Ballkanit Perëndimor. Këto emocione kanë shqetësuar vendet e unionit pasi krijojnë hapësira ndikimi në rajon për rivalët strategjikë si Kina dhe Rusia.
/a.r