Njësitë speciale të Bosnje-Hercegovinës kanë vënë në pranga Elvis Kelmendin, djalin e bosit shqiptar të drogës, Naser Kelmendit me origjinë nga Peja e Kosovës.
Kelmendi u arrestua të martën së bashku me 6 persona të tjerë në neum të Bosnjës. Ai akuzohet për një sërë veprash penale si trafik droge, krim i organizuar, falsifikim dokumentesh dhe plagosje.
Policia boshnjake ka njoftuar përmes një komunikate zyrtare se operacioni i titulluar Rez u ndërmorr në lidhje me arrestimin e personave të cilët kanë kryer krime në kantonin e Sarajevës.
Policia njofton se së bashku me shtetasin Elvis Kelmendi 44 vjeç, në këtë operacion u arrestuan dhe Slobodan Tomanić 51 vjeç, Harun Babić 22 vjeç, Anel Sejfovic 35 vjeç, Ajlin Ahmić 38 vjeç, Amer Pehlić 38 vjeç dhe Armin Kulashević 38 vjeç.
Në kuadër të përcaktimit strategjik të Drejtorisë së Policisë së Kantonit të Sarajevës, që i referohet luftës pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, efektivët e forcave speciale, nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të ushtruesit të detyrës së prokurorit kanë kryer një aksion të titulluar “REZ”, i cili përfshin heqjen e lirisë së personave të caktuar që janë të lidhur me kryerjen e disa veprave penale në zonën e Kantonit të Sarajevës. Po kontrollohen disa objekte dhe mjete transporti me qëllim mbledhjen e provave materiale”, thuhet në njoftimin e policisisë së Bosnjës.
Emri i Elvis Kelmendit nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi së bashku me vëllezërit dhe babanë e tij janë përfshirë në kartelet kriminale të Meksikës dhe Amerikës Latine. Ai është cilësuar nga policia e kosovës si një person me rrezikshmëri të lartë dhe është kërkuar ndihma e qytetarëve për ta lokalizuar për aq kohë sa ka qenë në kërkim.
Probleme me ligjin Kelmendi ka pasur edhe më herët, ku në vitin 2010 është akuzuar për vrasje. Gjithashtu, është arrestuar në Beograd në vitin 2017 për dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje, pas denoncimit të ardhur nga ish- e dashura e tij. Në vitin 2019, Elvis Kelmendi u shfaq në një video-regjistrim tek kërcënonte Demë Elshanin dhe familjen e tij, me të cilët gjendej në hasmëri prej gati 21 vjetësh.