Kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla ka prezantuar sot në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisi projektligjin për ndryshimet në Kodin Rrugor.
Në projektligj është propozuar zgjatja e afatit të patentave nga 10 deri në 15 vite. Po ashtu, Balla theksoi se në ndryshimet e reja është menduar kufizimi i shpejtësisë për shoferët e rinj në tre vitet e para që nga marrja e lejes së drejtimit. Balla tha se kjo masë është aplikuar nga Italia për shkak të numrit të lartë të aksidenteve dhe ka sjellë rezultate.
“Ndryshimet që kanë të bëjnë me ndryshime të shpejtësitë për ata që marrin patentë për herë të parë i referohen modelit italian. Në kushte të një rritje të aksidenteve në Itali te moshat e reja ka ndërmarrë këtë politikë të kufizimit të shpejtësisë për tre vitet e para të djemve dhe vajzave të reja që marrin patentën. Kjo rezultoi që të ishte një masë e duhur. Sot në Evropë aksidentet rrugore me të rinj janë 25% e të gjitha viktimave.
Dhe në këtë këndvështrim edhe KE ka filluar procedurat për një derektivë të re, për vendosjen e kufizimeve. Ne kemi sjellë si kufizim të vendosim atë që ka Italia, të kemi mundësi që tre vitet e para të ketë në kufizim shpejtësia deri në 80 km”, tha Balla.
Një nga propozimet e socialistëve është edhe shtyrja e moshës për shoferët e autobusëve nga 65 në 70 vjeç.
“Postimi nga 65 në 70 vjeç është i nevojshëm duke pasur parasysh që këta lloj specialistësh ta bëjnë këtë punë deri në moshën 70 vjeç. Nuk doja të ndalesha shumë në detaje të tjera”, tha Balla.
g.kosovari