Presidenti Vladimir Putin do të dalë për herë të dytë jashtë Rusisë, që prej nisjes së pushtimit të Ukrainës, pasi do të udhëtojë në Teheran ku do të takohet me homologun vendas, Ebrahim Raisi dhe atë turk, Recep Tayyip Erdogan. Sipas Kremlinit, takimi do të mbahet më 19 korrik.
“Udhëtimi i Presidentit Putin në Teheran po përgatitet. Do të ketë një takim me krerët e shteteve garantuese të procesit të Astanës, një proces që synon promovimin e rregullimit të situatës në Siri”, tha zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov.
“Putin, Raisi dhe Erdogan do të zhvillojnë një takim me njëri-tjetrin”, tha Peskov, i cili tha se përveç mbledhjes trepalëshe do të ketë edhe një takim kokë më kokë Putin-Erdogan.
Shefi i Komisionit Ekonomik të Parlamentit iranian, Mohammadreza Pour-Ebrahimi, tha për agjencinë ruse të lajmeve, IRNA, se Putin do të mbërrijë në Iran për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik mes dy shteteve, mes të cilëve është krijuar një atmosferë pozitive.
Lajmi për takimin vjen në një kohë kur zyrtarë amerikanë të sigurisë kanë raportuar se Urani po planifikon të furnizojë Rusinë me dronë ushtarakë, për t’i përdorur gjatë ofensivës së saj në Ukrainë. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, tha se informacionet e siguruara nga SHBA-ja sugjerojnë se Irani po përgatitej të trajnonte forcat ruse për të përdorur dronët.
Dronët kanë luajtur një rol të madh në luftë si për Ukrainën ashtu edhe për Rusinë. Vetëm javën e kaluar, Ukraina bëri thirrje për donacione të mijëra dronëve për të ndihmuar përpjekjet e saj të luftës. Të dyja palët po i përdorin ato për të dalluar pozicionet e armikut dhe më pas për të ndihmuar në drejtimin dhe korrigjimin e zjarrit të artilerisë në një objektiv.
Sullivan shtoi gjithashtu vuri re se dronët iranianë ishin përdorur më parë nga rebelët Houthi të Jemenit për të sulmuar Arabinë Saudite. Komentet e tij erdhën përpara vizitës së presidentit amerikan, Joe Biden, në Izrael dhe Arabinë Saudite këtë javë. Asnjë prej vendeve nuk i është bashkuar deri më tani sanksioneve kundër Rusisë për luftën e saj në Ukrainë.
/a.r