Vijojnë punimet për rikonstruksionin dhe zgjerimin e kapaciteteve në Spitalin Infektiv. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu pa nga afër punimet që po kryhen në këtë spital, nga ku bëri me dije se spitali i ri do të jetë gati brenda verës.
“Jam e kënaqur që tashmë ashtu sikurse e kemi premtuar, brenda muajit korrik mund të kemi një përfundim të punimeve në këtë spital. Dhe ky është synimi ynë, që fundi i muajit korrik të përfundojë nga pikëpamja e rehabilitimit të infrastrukturës spital i ri i sëmundjeve infektive në Qendren Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ndërkohë që bërja funksional i këtij spitali do të fillojë në muajin gusht, ku edhe do të kemi një hapje të këtij shërbimi të ri”, tha Manastirliu.
Duke folur për investimin e ri, Manastirliu tha se për t’iu përgjigjur emergjencave, ky spital mund të kthehet në një spital gjysmë terapie intensive.
“Ashtu sikurse tashmë kjo strukturë është e projektuar, do të kemi më shumë se 60% të dhomave me ajër me presion negativ. Kjo ndihmon shumë përsa i përket trajtimit të sëmundjeve infektive. Reanimacioni rrit kapacitetet duke i dyfishuar ato. Ndërkohë që gati të gjitha dhomat ofrojnë të gjitha panelet e gazrave mjekësore duke e kthyer në një moment të caktuar nëse do të na duhet dhe një spital pra, gjysmë terapie intensive”, tha Manastirliu.
Duke folur për situatën epidemiologjike ku vihet re një rritje e numrit të infektimeve, Manastirliu duke i’u referuar alertit të ngritur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, tha se duhet të jemi gati për të përballuar një valë të re infektimesh.
“Puna jonë duhet të jetë e fokusuar sepse duhet të përgatitemi për të nesërmen. Ashtu sikurse është alertuar edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, vjeshta mund të vijë me një valë të re të covid19 dhe varianteve të reja të Omicron. Ndaj ne duhet të bëhemi gati që t’i përballojmë të gjitha ato emergjenca që mund të vijnë në të ardhmen, duke qenë të përgatitur dhe duke ndërtuar kapacitetet dhe duke i fuqizuar ato”, tha Manastirliu.
Investimi me vlerë prej 5.6 milion euro konsiston në rikonstruksionin dhe zgjerimin e kapaciteteve të Spitalit Infektiv. Ky investim vjen në kuadër të fuqizimit të kapaciteteve në sistemin spitalor dhe veçanërisht në përgjigjie të fuqizimit të kapaciteteve për shërbimet spitalore për sëmundjet infektive dhe Planin e Masave 2021-2022 për përgjigjien ndaj pandemisë Covid-19. Kapaciteti i plotë i këtij spitali do të jetë 118 shtretër.
/a.r