Ish anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, tani analist, Ardian Isufi ka qenë i ftuar në studion e Fax News ku ka folur lidhur me protestën e organizuar në 7 korrik nga opozita përballë ndërtesës së kryeministrisë.
Ai tha se pavarësisht protestës ende nuk kishte një shpresë konkrete për një ndryshim pasi vetë PD nuk është formësuar ende për të prezantuar një ofertë për qytetarët shqiptarë.
Isufi shtoi më tej se arsyeja përse protestat e shoqërisë civile ishin mbyllur ishte për faktin se ishin organizuar nga individë të cilët bënin pazare fshehurazi me qeverinë.
“Në gjithë këtë aksion prapë shohim se ky ripozicionim nuk jep asgjë të re në kuptimin e një partie të moderuar. Janë teza që nuk e dëmtojnë PS-në. Pavarësisht se ka një rënie të kënaqësisë mbi pushttin e PS, duke parë edhe raportet ndërkombëtare. Elementi i shpresës është ende i vakët sepse nuk kemi realisht një PD të moderuar që të ketë një ofertë për publikun shqiptar.
Ne kemi shumë çështje të cilat duhen analizuar dhe në fillim po e nis nga shoqëria sepse mendoj se duhet një moment më i fuqishëm sensibilizimi nga individët. Protestat kanë pasur një formë mbyllje sepse kanë ardhur nga persona të cilët kanë lidhje me qeverinë.
Kjo ndarja e llokmave sot është kthyer në një institucion i deformuar i mënyrës sesi operojnë të gjithë operatorët. Shoqëria shqiptare duhet të jetë me e zgjuar. Mendoj se po u lihet hapësirë e madhe individëve të cilët ditën e shajnë qeverinë dhe natën bëjnë projekte me këtë qeveri.
Kam përshtypjen se pavarësisht kësaj situate, mendoj se po vjen momenti ndoshta pas zgjedhjeve vendore do ketë një zgjim të madh popullor për të gjetur një zgjidhje të re.
PD thotë ne do hapemi, këto janë fjalë që nuk të çojnë askund, duhet një aksion konkret. Tashmë duket çdo gjë e konsumuar edhe fjala “hapje” e ka humbur kuptimin e saj. Nuk mund të përdoret nga falanga të ezauruar brenda partive politike të cilët kanë parë vetëm interesat e tyre”– u shpreh analisti për Fax News./m.j