Nick Kyrgios është një nga tenistët më atipikë të këtij sporti. 27-vjeçari austrialian me origjinë greke shpeshherë bëhet protagonist gjatë një ndeshje me gjeste të shëmtuara ndaj kundërshtarit, gjyqtarit apo edhe publikut. Por, megjithë problemet, ai që njihet edhe si “Bad Boy” i tenisit ja ka dalë të numërojë fansa të shumtë në të gjithë botën dhe të dielën luan finalen e Wimbledon ku do të sfidojë Novak Djokovic për të fituar Grand Slam-in e parë në karrierë.
Një karrierë e cila nuk ka rezultuar aspak e lehtë për 27-vjeçarin, pasi problemet jashtë sportit kanë qenë gjithnjë të bujshme. Kyrgios që në fëmijërinë e tij ka ëndërruar gjithnjë për basketbollin dhe vazhdoi tenisin vetëm për hatër të prindërve, së fundmi ka rrëfyer disa nga vuajtjet e tij më madhore si idetë për vetëvrasje apo varësia nga droga.
“Kam pasur mendime për të vrarë veten, ishte një periudhë e errët për mua. Nuk kisha dëshirë të ngrihesha nga krevati dhe jo më të luaja para miliona njerëzve. Isha vetëm dhe në depresion, abuzoja me drogën, alkoolin. Largova shokët dhe familjen nga vetja, kisha një ndjesi që nuk mund t’i besoja askujt.
Kjo ishte si një rezultat i të larguarit nga të dashurit e mi. Tani jam shumë krenar të them se jam një person totalisht ndryshe, shijoj çdo moment dhe dëshiroj që njerëzit të arrijnë potencialin e tyre maksimal dhe të jenë të lumtur. Jeta është e bukur.
Për mua ka qenë e vështirë të shkëputesha nga basketbolli. Ka qenë dashuria e parë dhe për mua basketbolli shërben si meditim. Por, kur isha në moshën 14-vjeçare, prindërit më thanë të mos luaja më basketboll. Më dhimbte në zemër, ende dhemb. Ishte shumë e vështirë të largohesha nga basketbolli, e dua shumë”.
Së fundmi, Kyrgios është duke u përballur me akuzat për dhunë nga ish-e dashura modele, Chiara Passari. Tenisti australian do të duhet të paraqitet në gjykatë muajin e ardhshëm teksa rrezikon të dënohet me dy vite burg.
Megjithatë, pavarësisht telasheve, Kyrgios tashmë është plotësisht i fokusuar te finalja e madhe e karrierës së tij duke qenë se i duhet të sfidojë një koleg të jashtëzakonshëm si Novak Djokovic, i cili në Wimbledon nuk njeh humbje prej vitit 2017./ supersport.al
g.kosovari