Nga Jakin Marena
Protesta e ditës së enjte e Sali Berishës e arriti ‘qëllimin’ për të cilin ishte thirrur me urgjencë në pikë të vapës dhe të sezonit turistik. Lideri historik i PD tregoi në këtë ‘provë force’ për të gjithë kundërshtarët e tij brenda PD se tashmë e ka uzurpuar këtë parti në masën 100 përqind.
Berisha i dërgoi mesazhet e tij të koduara aty mendonte se duhet. I kujtoi Lulzim Bashës, “birit” të tij politik që tashmë konsiderohet një “bukëshkalë” dhe “besë-prerë” se protestat organizohen dhe në muajt e verës, kur njerëzit shkojnë në plazhe, dhe nuk është e nevojshme që dhe opozita të marrë pushimet dhe të presë mesin e shtatorit për t’u bërë e gjallë.
Ka qënë një mesazh i drejtëpërdrejtë për Bashën, të cilin e akuzuan derisa e dëbuan nga drejtimi i PD se është një fenomen i punëve të pakryera e të pa çuara deri në fund, një dembel funksional, që gjithçka ishte mësuar ta marrë “qyl”. Por dhe se është një bashkëpunëtor i Edi Ramës.
Madje me mendjen e tij Berisha i dërgoi një mesazh të koduar dhe ambasadores së SHBA Yuri Kim, si për t’i treguar se ka mbështetur njeriun e gabuar në PD. Apo njerëzit e gabuar, sepse bashkë me Bashën, munguan në protestën e djeshme të opozitës, edhe kryetari i komanduar i PD Enkelejd Alibeaj, bashkë me ish sekretarin e përgjithshëm Gazment Bardhi. Ndonëse Berisha i kishte kërcënuar përmes “këshillës” disa ditë para 7 korrikut, se nuk duhej të vinin në protestën e demokratëve, pasi konsiderohen si një patericë e Ramës dhe militantët mund të keqkuptoheshin.
Nuk përjashtohej ndonjë incident me Bashën, Alibeajn e Bardhin që mund të viheshin përballë turmës së “revoltuar” të ithtarëve të Berishës dhe kjo u pa dhe me qëndrimin që mbajtën ndaj deputetëve kritikë tëliderit historik të PD, të cilët kishin zënë qoshet e protestës me një këmbë jashtë dhe një këmbë brenda saj, të gatshëm për t’u larguar në përplasjen më të parë. Janë të ilustruara me foto dhe janë botuar në mediat shqiptare, sidomos online, këto pamje.
Berisha, i cili drejtimin e PD e këtë protestë e kishte kërkuar thjeshtë e vetëm për interesin e tij personal. Pasi si një person “non grata” familjarisht i shpallur nga SHBA për korrupsion të theksuar, minim të demokracisë e shantazh ndaj drejtësisë, kërkon të imponohet si interlokutori i vetëm i PD me partnerët tanë ndërkombëtarë. Jo se pretendon për të hequr “non gratën”.
Berisha e di si dreqi se është një “titull” që nuk hiqet nga SHBA, sikur bota të përmbyset. Aq më tepër që të realizohet kjo për liderin partiak të një vendi ballkanik, që dhe një foto të rastësishtme e shfrytëzon politikisht. Madje kanë harxhuar miliona për një foto. Për këtë arsye jo vetëm Basha është nën një hetim të trazuar në SHBA për lobimin për një foto me Trump me financim rus, por dhe Meta është në SPAK i paditur nga ish deputeti i PD për lobimin 700 mijë euro po në SHBA.
Por liderët shqiptarë punojnë për militantët e tyre, duan të paraqiten si nuk janë para tyre: Të qetë, të përkorë, pa asnjë cen dhe të mbështetur ndërkombëtarisht kur kanë ndonjë mundësi, qoftë dhe fluide apo dhe ndonjë shtrëngim kortezie dore të mundshëm. E ‘shesin’ shtrenjtë këtë.
Berisha kishte në krah dhe kryetaren e LSI Moniika Kryemadhi, e cila ia dorëzon burrit të saj Ilir Meta “stafetën” e drejtimit të kësaj partie, sapo të lirojë zyrën e Presidencës. Fundja private e kanë këtë parti dhe mund të shënojnë dhe rekorde historike, të kalimit familjar të drejtimit dhe rastin e parë ndoshta në botën e qytetëruar dhe gjysmë të qytetëruar kur gruaja pret lirimin e burrit nga funksionet shtetërore për t’i dorëzuar çelësat e zyrës së kryetarit të partisë. Por jemi në Shqipëri, dhe gjithçka mund të ndodhë pa asnjë qeder.
Pra Berisha dje tentoi të tregonte “muskujt” para kundërshtarëve të tij politikë, aleatëve, qeverisë së mazhorancës e partnerëve tanë ndërkombëtarë. Ndonëse vetëm zëri i një avokateje u artikulua, me porosi kuptohet, kundër ambasadores Yuri Kim, teksa e akuzonte se ishte kryeministrja reale e Shqipërisë. Një etiketim jo i ri ky, për të zhbërë rëndësinë e kryeministrit Rama e për të treguar se ambasadorja po loz rol politik krah mazhorancës.
Ndonëse kishte një ulje të akuzave ndaj SHBA, Berisha tentoi të tregonte forcën në protestën e 7 korrikut në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë kryeministrisë. Bëri të “fortin” e kësaj lagjeje që quhet Shqipëri, u “trimërua” në sytë e militantëve të PD. Jo se mund të vijë në pushtet me 20 ose 30 mijë mbështetës apo më shumë po të doni, që kishte më 7 korrik në bulevard. Duhen 800 mijë vota për të pretenduar pushtetin, gjë që është e pamundur në këtë situatë në të cilën ndodhet opozita, ku para kutisë së votimit vendos elektorati “gri” që nuk të beson kollaj, nuk mashtrohet lehtë dhe nuk mund të tërhiqet për hunde, kundër interesit të tij.
Me këtë masë njerëzish s’mund ta trembë Edi Ramën, i cili me qetësinë e mbajtur dje tregoi se asnjë muskul nuk i ka lëvizur nga protesta e Berishës. Përkundrazi, “tabela” e qitjes politike i është afruar më shumë se sa në zgjedhjet e kaluara, kur kishte Bashën përballë por godiste Berishën dhe Metën për t’i nxjerrë në fushë-betejë. Tani i ka zyrtarisht përballë, më lehtë!
Në fund të herës protesta e një dite më parë e opozitës ishte në formatin e një loje të dyfishtë mes Berishës dhe Metës. Ku rolet ishin të ndara. Nëse Berisha bënte të“fortin”, duke pasur në krah dhe Kryemadhin e LSI, Ilir Meta ka zgjedhur një rrugë tjetër, atë tëparaqitjes si një President që respekton ligjet e shtetit por dhe u bindet ndërkombëtarëve që kërkojnë stabilitet në vend dhe ku kreu i shtetit nuk duhet të bëhet pjesë e destabilitetit. Aq më tepër në këtë situatë krizë e konflikti në Lindje, për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës.
Ishte paralajmëruar pjesëmarrja e Metës në protestën e opozitës më 7 korrik. Madje nën zë thuhej se do të kishte masivim të pjesëmarrjes dhe për shkak të “popullit të 2 marsit” të Metës, që pritej të ishte prezent në bulevardin përballë kryeministrisë.
Të gjithë e besuan se Meta nuk e ka për gjë të marrë pjesë në protestën pro opozitës, pasi ka qënë në kundërshtim me Kushtetutën dhe vetë organizator i protestës apo tubimit të 2 marsit, me të njejtin popull opozitar që ishte dje. Thjeshtë kishte ndryshuar paneli më 7 korrik. Dhe Meta ka bërë goxha veprime të tjera më të rënda në favor të opozitës, dhe në kundërshtim me atributet që i jep Kushtetuta si President i Republikës, simbol i unitetit të kombit dhe qëndrimit mbi palët.
Ndaj pjesëmarrja e thjeshtë në këtë protestë do të ishte një gjë shumë e vogël për Metën, aq më tepër që pas 19 ditësh ai do të jetë ish President. E në “metrat” e fundit të Presidencës së tij, dhe një akt anti-kushtetues më shumë apo më pak në vazhdën e shkeljeve të Metës sa ka qënë në këtë institucion, nuk ngre as ul në bilancin negativ të sjelljes së tij si kryetar shteti në këto pesë vite.
Por Meta iu përmbajt skenarit të përbashkët me Berishën: Njëri do të bënte të “fortin” për shkak se ishte dhe “non grata” nga SHBA, ndërsa tjetri do të sillej në mënyrë institucionale, madje dhe si një politikan që po normalizon marrëdhëniet me Uashingtonin. Duke shfrytëzuar dhe ftesat e kortezisë për përvjetorin e pavarësisë së SHBA apo takimin e ambasadores Yuri Kim me ish ministrat e Jashtëm, ku Ilir Meta ishte pjesë e këtyre takimeve protokollare.
Megjithëse është shumë pak për të treguar se Meta e kishte kaluar “oqeanin” tashmë. E themi këtë sepse në të gjitha vizitat që zyrtarët e lartë të SHBA kanë bërë në Shqipëri, Presidenti s’ka qënë asnjëherë pjesë e axhendës së takimeve. Por kreu i shtetit në largim duket se ia ka dalë të krijojë përshtypjen se acarimi me ata që “donin ta vrisnin me raketa në Malin me Gropa” dhe që “do t’i kapte për veshi”, ishte tejkaluar.
Në “kurthin” e kësaj loje të Metës, me “bekimin” dhe të aleatit të tij Berisha, kanë rënë goxha njerëz në Shqipëri, mes të cilëve dhe disa panelistë që i shohim përnatë në ekranet televizive. Madje kanë marrë udhë teoritë konspirative se “dosja” e Berishës është ndarë nga ajo e Metës, ndonëse Presidenti në largim ka dy padi penale në SPAK për lobim me para, të cilave nuk u dihet burimi, dhe të padeklaruara në organet përkatëse. Flitet për shumën 700 mijë euro pa llogaritur afër 300 mijë euro të tjera të përdorura nga bashkëshortja e tij, aktualisht kryetar e LSI Monika Kryemadhi, për “sistemim” plastik dhe estetik të saj.
Pra pranohet se SHBA ka dosje për të dy “dinozaurët” e politikës shqiptare. Por SHBA nuk bën pazar me dosjet e politikanëve të korruptuar, “non grata” ose jo, pasi ka shpenzuar shumë për ngritjen e drejtësisë së re e dhënien fund të pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë në këtë vend. Nuk bën lojë me “porta” kaq të vogla SHBA. Eshtë vendi më demokratik në botë dhe për korrupsion nuk të fal.
Por është fakt që, vetë Meta i cili me heshtjen e tij publike, në prapaskenë sponsorizon mediat afër tij dhe më tej që ta promovojnë, po përpiqet të tregojë se marrëdhëniet me SHBA i ka përmirësuar dukshëm. Aq sa të takohet dhe të shihet si partner, anipse shmangia nga takimet e Presidentit përbën lajm, ndërsa pjesëmarrja është një respektim i protokollit. Pra një normalitet institucional për një President Republike.
Por Meta nuk la askënd të “zhgënjehet”, pasi tregoi një ditë pas protestës se me mendje dhe zemër ka qënë aty, në bulevard përballë kryeministrisë dhe krah Berishës. Ai ka reaguar duke thënë se manifestimi masiv paqësor i organizuar në Tiranë nga opozita dhe aktivistët e shoqërisë civile shqiptare ishte imazhi më i bukur i një shoqërie të gjallë dhe një demokracie në veprim.
Kreu i shtetit shprehet se kauzat e vërteta dhe të drejta, që u ngritën gjatë kësaj proteste, duhet të zgjojnë të gjitha institucionet pa vonesë. Sipas tij, nuk mund të ketë asnjë justifikim ndaj palëvizshmërisë së organeve të drejtësisë pas mega-skandaleve korruptive, që vazhdojnë të zbulohen dhe denoncohen çdo ditë.
Pra tregoi qartë se mospjesmarrja dhe heshtja e tij ishte pjesë e skenarit. Eshtë një “kurth” i thurur me shumë kujdes bashkë me Berishën, një skenar i mirëmenduar për mbijetesën e tyre politike të kërcënuar nga shpallja “non grata” dhe akuzat e shumta për korrupsion. Por dhe për të treguar se në të ardhmen jo fort të largët, dyshja drejtuese e opozitës Berisha-Meta dhe mund të pretendojë të vijë në pushtet, pasi plotësojnë njëri-tjetrin.
Jo pa qëllim Berisha ka bërë një “ulje të butë” me këmbë në tokë pas deklaratave sa do të rrëzojë Ramën nga pushteti dhe do të marrë drejtimin e qeverisë. Teksa deklaroi se opozita do të ketë një drejtim kolegjial, “duet” ose “triumvirat” mbetet për t’u parë, Berisha po përpiqet të dërgojë një mesazh të koduar në drejtim të partnerëve tanë ndërkombëtarë se ai, si person “non grata” nuk ka si qëllim ardhjen në krye të qeverisë. Duke lënë për të kuptuar se drejtimi kolegjial i koalicionit u jep shansin krerëve të partive aleate, që në rast fitoreje, ndonëse në kufinjtë e pamundësisë, të bëhen ndonjëri kryeministër. Pra mendohet se do hapë “krahun”. Ndërsa vetë Berisha, si gjithnjë, do drejtojë fijet në prapaskenë.
Ka dhënë prova për këtë, duke drejtuar PD dhe në 5 vitet kur ka qënë president, dhe në 9 vite në opozitë dhe i dorëhequr nga posti i kryetarit, të cilin ia ‘dhuroi’ Lulzim Bashës. Eshtë një ‘rrugë’ e shtruar. Megjithëse shanset që opozita të vijë në pushtet janë thuajse të pamundura, Berisha e Meta vijojnë të përdorin “kurthin” e tyre. Të paktën për mbijetesë politike. Por dhe për të tentuar vertetimin e aksiomës: “Mos thuaj kurrë, kurrë”!