Për t’ju shpëtuar kontrolleve të policisë dhe gjobave në të gjithë vendin, disa persona kishin krijuar një grup WhatsApp dhe sinjalizonin njëri-tjetrin aty ku ishin ngritur pika kontrolli apo ku ishin pozicionuar radarët e rrugores.
Grupi ishte aktiv prej gati dy vitesh dhe pak ditë më parë u zbulua nga Seksioni për Krimin Ekonimiko Financiar, në Policinë e Tiranës.
Administratorë të grupit ishin tre të rinj, dy djem nga Tirana dhe një nga Fushë-Kruja.
Ata u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale veprime që pengojnë zbulimin
e së vërtetës.
Pasi u morën në pyetje, tre djemtë kanë pohuar se grupi që mbante emrin “Radari”, ishte hapur prej tyre për t’ju shmangur radarëve të Policisë Rrugore, pasi kanë pasion shpejtësinë.
Numri i anëtareve të grupit u rrit dita-ditës. Kur policia ra në gjurmët e tij, ishin më shumë se 500 anëtarë.
Pjesa më e madhe nuk kishin njohje me njëri-tjetrin. Ata ishin nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe në grupin e WhatsApp informonin për ve ndodhjet e të gjitha shërbimeve të policisë që konstatoheshin në rrugë. Informacioni ishte i detajuar, që nga radarët, numri i forcave në postbllok apo edhe kontrollet e lëvizshme në rrugë.
Anëtarët kishin rënë dakord që të mos dërgohej asnjë foto apo video në grup, por vetëm informacionet, si përshembull, “në Tiranë-Durrës ka radarë”, apo “tek ‘Teg-u’ janë ‘Shqiponjat’”.
Edhe pse tre të rinjtë kanë deklaruar se kjo gjë është bërë vetëm për t’ju shmangur gjobave, grupi hetimor dyshon se një pjesë e anëtarëve lëviznin me sende të paligjshme si drogë apo armë dhe e kanë përdorur grupin për t’ju shmangur kontrolleve./m.j