Tingujt e valsit vjenez pushtuan për pak orë hapësirën e sheshit “Skënderbej” nën koreografinë e balerinit shqiptar me famë botërore Eno Peçi.
I rikthyer në skenën e vendit të tij, për Peçin kjo natë jo vetëm që mbarti emocione të forta, por e ktheu pas në kohë, me të rinj, aty ku ai nisi hapat e para. “Vals me të rinjtë” mbushi sheshin qendror të Tiranës.
“Unë kur vij këtu kam një qetësi ndjej një balancë dhe mbase ngaqë është vendi im dhe unë fëmijërinë e kam kaluar këtu. Ishte diçka e veçantë kështu në open air dhe ishte premier, e kam bërë dhe në opera, por këtu ishte diçka e veçantë dhe ndryshe.”
Por rikthimin në Shqipëri pas disa vitesh balerini e sheh të shoqëruar dhe me shumë ndryshime. Për të largimi nga vendi ka qenë një domosdoshmëri e kohës në të cilën ka jetuar.
“Është një ndryshim shumë i madh unë e kam lënë Shqipërinë në 1988 dhe jam kthyer ne 2022 është si bardh e zi.
Unë dhe atëherë në 1998 nuk kam dashur ta le Shqipërinë, por për shkak të trazirave që ishin atëherë, ishte e vetmja mënyrë që unë të kisha një karrierë tjetër. Po kur e shoh si është bërë kohët e fundit do ta mendoja dhe njëherë nëse do ikja apo jo.”
Eno Peçi është i pari balerin shqiptar që është ngjitur në skenën e operës së Vjenës dhe është bërë pjesë e saj që në vitin 2000.
Po ashtu ai ka ndërtuar karrierën e tij jo vetëm si balerin, por edhe si koreograf në Austri, ku numëron me dhjetëra shfaqje artistike./m.j