Vajzat e Sandra Stodola janë binjake, por janë gjithashtu gjysmë-motra, me dy nëna të ndryshme biologjike. Si është e mundur kjo? Historia është e pabesueshme.
Sandra mundi të ngelte shtatzënë duke përdorur vezën e një dhuruese dhe njëkohësisht një të sajën. Kjo do të thotë që vajzat e saj u ngjizën njëkohësisht, por gjenetikisht janë gjysmë-motra.
34-vjeçarja u përpoq për 4 vite të ngelte shtatzënë, por pa sukses. Ajo dhe bashkëshorti i saj Jack mirëpritën në jetë vajzat e tyre Eleanor Ann dhe Evelyn Louise pasi shpenzuan 26.000 Dollarë në 5 seanca fertilizimi in vitro.
“Provuam me vezët e mia për 4 herë, por na thanë se ishin të dobëta. Tre prej raundeve u mbuluan nga sigurimet shëndetësore, por asnjë prej tyre nuk rezultoi me sukses”, rrëfen Sandra duke shtuar se ishte gati të dorëzohej. ”Doja të ndaloja, mendërisht ishte shumë e vështirë. Iu kisha vënë emra 7 embrioneve, kisha zgjedhur dhomat dhe vajtoja për atë që mund të kishte qenë ndryshe”.
Çifti shpenzoi 20.000 Dollarë në një raund të katërt fertilizimi, por sërish u përball me zhgënjimin. Herën e pestë vendosën ta provonin me një transferim veze të ngrirë që shtoi shpenzimet me 6000 Dollarë, duke përdorur një embrion të ngrirë të Sandrës.
Përpjekja e fundit funksionoi, 9 ditë më vonë Sandra zbuloi shtatzëninë, por kjo nuk ishte surpriza e vetme. “Në javën e gjashtë morëm vesh se ishin binjakë dhe duke e ditur që kishim përdorur një vezë timen dhe një të dhurueses, do ishin unike. Janë binjake fraternale, gjysmë-motra me nëna të ndryshme biologjike dhe të njëjtin baba”, sqaron ajo.
Më tej, ajo thotë se çifti është i vetëdijshëm se cila vajzë ka gjenet e Sandrës dhe nuk do ta mbajnë të fshehtë prej tyre kur të arrijnë një moshë që të kuptojnë. ”U deshën 43 muaj, 4 grumbullime vezësh, pesë transferime dhe 516 përpjekje që të bëheshim me vajza”, thotë Sandra e lumtur, ndërsa tashmë ka nisur të ndajë eksperiencën e saj për të ndihmuar gratë që vuajnë nga problemet e fertilizimit.
/a.r