Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka komentuar mbrëmjen e sotme në një emision televiziv në lidhje me organizimin e protestë së ditës së nesërme, ku shprehet se nuk do të ketë trazira.
Këlliçi deklaroi do të jenë përfaqësues të FRPD-së të cilët do të punojnë për të mbajtur nën kontroll situatën.
Këlliçi ka sqaruar edhe këshillën që Berisha i dha Alibeajt dhe Bashës për të mos ardhur në protestë. Sipas tij, ka qenë një këshillë miqësore, dhe jo një “urdhër”.
Deputeti demokrat është pyetur nëse ka informacion që Basha e Alibeaj do vijnë në protestë, të cilës ai është përgjigjur se nuk ka pasur komunikim me ta.
Këlliçi: Berisha nuk ka folur për incidente. Unë në një studio përpara disa ditësh, kam ftuar Bashën dhe Alibeajn që të vijnë në protestë. I takon të jenë në protestë.
Vasili: Problemi është çfarë thotë Berisha, jo juve.
Këlliçi: Berisha ka dhënë një sugjerim personal, për shkak të mërzisë dhe inatit që kjo dyshe i ka lënë qytetarët përfaqësim politik dhe pa opozitë. Është një diskurs i tij personal. Duhet të ndani ironinë, cinizmin nga deklaratat publikisht zyrtare dhe që kanë të bëjnë me një proces të tillë.
Vasili: Ke informacion, do vijnë ata?
Këlliçi: Nuk kam informacion, nuk kam folur me ta. Ju e keni parë që mes kordonit të policisë dhe protestuesve, do jenë të rinjtë e FRPD-së, të cilët do jenë me mjete identifikuese të veshur, me shiritin në krah të cilët do jenë garanci që të mos ketë asnjë intimidim nga asnjëra palë.