Nga Dritan Hila
Në një ditë si kjo, 79 vite më parë, ushtria gjermane në përgjigje të një sulmi që partizanët shqiptarë kishin bërë mbi një autokolonë, sulmon fshatin Borovë faji i të cilit ishte vetëm se ndodhej aty dhe ishte më afër hakmarrjes gjermane.
Civilë mes të cilëve gra dhe fëmijë do të masakroheshin pa mëshirë.
Ngjarja është nga ato të cilat Lufta e Dytë Botërore i përjetoi me shumicë në botë. Hebrenjtë zënë vendin e parë për shfarosje industriale, por më pas nuk mbetën edhe kombësitë e tjera të quajtur “raca inferiore”, përfshirë edhe shqiptarët, që si alternativë ndaj nënshtrimit, kishin vdekjen.
Numri i shqiptarëve të vrarë për frymë popullsie nuk ishte i vogël. Shifra zyrtare e pranuar edhe nga bota është 28.000 mijë. Përfshihen në këtë shifër luftëtarë të lirisë, të rreshtuar krah pushtuesit dhe popullsi civile si kjo e Borovës, e cila gjendej në mes të shkëmbimit të zjarrit mes palëve ndërluftuese.
Në vitet e mëvonshme, shqiptarët u përpoqën të vinin në pah kontributin e tyre në këtë luftë, sikurse ka një rrymë nihiliste e cila mohon shifrën e të vrarëve dhe përpiqet që rezistencën shqiptare ta paraqesë të sponsorizuar nga jugosllavët. Kontributi ynë në këtë sakrificë përpiqet të reduktohet dhe bëhet qesharak.
Bie në sy që fuqi të cilat ishin pushtuese të vendit tonë, sot, nëpërmjet fondacioneve apo projekteve, i mëshojnë luftës kundër komunizmit, krimeve të tij dhe pasojave që la.
Shqiptarët natyrisht që kanë peshën e tyre në plagët që i shkaktuan vetes. Por nëse duam të kemi një katharsis të plotë duhet që edhe perëndimi të pranojë fajet e veta kurse fuqitë pushtuese të kërkojnë faljet që ju takojnë.
Kërkesa e parë për falje duhet të vijë nga Gjermania. Ishte pushtimi i saj që solli fuqizimin e komunistëve dhe më vonë intrasigjencës së tyre ndaj bashkëpunëtorëve vendas të gjermanëve.
Ambasada gjermane bën shumë mirë që sponsorizon për krimet e komunizmit por do të ishte mirë të sponsorizonte edhe për muzeun e Borovës dhe masakrës që bënë gjyshërit e tyre.
Ka ardhur koha që në vizitat që bëjnë kancelarët gjermanë, të gjejnë edhe kohë të kërkojnë një falje zyrtare për pushtimin e Shqipërisë, të vrarët në fushëbeteja apo të shfarosur në kampet e përqendrimit.
Shqiptarët kanë fajet e tyre për egërsinë me të cilën u sollën ndaj njeri tjetrit. Por do të ishte e udhës që perëndimi të bënte një kërkesë falje që Shqipërinë e la në kampin e lindjes. Lënia në atë kamp natyrisht që do ju mësonte dhe ushtronte shqiptarëve shkollën e Stalinit dhe jo të Rusoit.
Shqiptarët kanë shumë faje për shumë arsye për atë që i punojnë vetes. Por edhe të huajt nuk na kanë bërë më pak. Dhe dita e 6 korrikut të vitit 1943 kur 107 shqiptarë të fshatit Borovë u masakruan, është një ditë kur perëndimorët duhet të kujtohen se ndaj këtij populli të vogël kanë borxhe e faje ndaj të cilëve ende nuk është kërkuar falje.