Prezantimi i platformave të kandidatëve në garë për kryetar të PS ka vijuar në Njësinë 7, ku kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputetet Etilda Gjoni dhe Blerina Gjylameti, vunë në dukje rëndësinë për të punuar në skuadër, si një familje që shtohet dita-ditës me energji të reja. Veliaj tha se kundërshtarët e Partisë Socialiste kanë filozofi të tyre përçarjen dhe se në protestën e paralajmëruar prej tyre, as ata vetë nuk e dinë se për çfarë do protestojnë.
“Nuk e kuptoj për çfarë protestojnë këta sepse as tërmetin, as pandeminë, as krizën energjitike nuk e shkaktoi qeveria jonë. E kuptoj kur dikush proteston për ngjarjet e 21 janarit, ku u vranë njerëzit në Bulevard. E kuptoj kur dikush proteston për Gërdecin se aty u hodhën njerëz në erë. Por, të protestosh për gjëra që nuk i ka në dorë qeveria, përkundrazi qeverisë i ka rënë barra t’i zgjidhë, edhe pse shkaktohen tjetërkund, kjo është çudia e tyre. Por, këta edhe kur organizohen në betejë kundër nesh thonë, do t’i rrëzojmë këta socialistët, por Luli dhe shpura e tij të mos vijnë. Njëri thotë të vijë Ilir Meta, tjetri thotë të mos vijë Ilir Meta. Pra, filozofia e tyre është ndarja. Këta mendojnë se bëhen më të fortë duke u përçarë. Ne kemi filozofi krejt tjetër, mendojmë se bëhemi më të fortë duke u shtuar, si një familje”, tha Veliaj. Mandej, kryebashkiaku shtoi se teksa kundërshtarët luftojnë me njëri-tjetrin, Partia Socialiste lufton për të qenë sa më e përkushtuar ndaj të gjithëve.
“Unë e di se çfarë do ndodhë në 7 korrik! Atyre të Lulit do t’u thonë ikni. Kurse, partia jonë është krejt tjetër. Në partinë tonë nuk digjet selia kur ka zgjedhje, njerëzit nuk rrihen me njëri-tjetrin, as nuk vijnë me vare dhe shkopa bejsbolli të rrihen më kundërshtarët. Beteja e PS është për njerëzit, sit ë qeverisë më mirë “, shtoi Veliaj. Duke falënderuar deputeten Etilda Gjoni për punën e bërë kur drejtonte Ministrinë e Drejtësisë, kreu i Bashkisë tha se faktet janë që drejtësia po ecën në drejtimin e duhur.
“Kur nisa punë si kryebashkiak, Bashkia e Tiranës fitonte 1 në 10 gjyqe kundër zaptuesve apo abuzuesve. Sot jemi në një situatë ku, falë reformës në drejtësi, e njëjta bashki, në emër të interesit publik fiton 9 nga 10 gjyqe. Ne kemi një përballje të pafundme me shkelësit e ligjit. Janë një minorancë, por një minorancë e zhurmshme, dhe deri dje ishte një minorancë e fuqishme. Fitonin ata, fitonte i forti, fitonte cubi, fitonte laci. Sot është ndryshe. Vërtet mund të kemi anomali me një gjyqtar, i cili jep masë sigurie pro njërit që ka ndërtuar pa leje brenda në varreza, por shtatë të tjerët dhanë vendimin e duhur. Ti nuk mund të ndërtosh pa leje në varrezë. Jetove 30 vjet mes xhenazeve, por pas 30 vitesh duhet secili të vazhdojë ose në një banesë sociale, ose me kredi të butë, ose me bonus qiraje”, përfundoi Veliaj.
/e.d