Në emisionin “Open” të gazetares Eni Vasili, në News 24, u diskutua këtë të martë afera e inceneratorëve. E ftuar në emision kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, iu përgjigj pyetjes së gazetarëve se pse ajo nuk e denoncoi këtë aferë në kohën që ishte pjesë e qeverisë Rama.
Kryemadhi në fjalën e saj tha se kur ajo protestonte për inceneratorin e Fierit, të gjitha mediat e censuronin.
Ajo shtoi gjithashtu e gabimi i saj i vetëm është se përse nuk i kërkoi më shumë llogari ministrit Lefter Koka, me aq pak informacion që kishte në atë kohë në lidhje me këtë çështje.
“Inceneratorët kanë filluar në 2014-ën, është iniciativë e ministrit të Mjedisit Lefter Kokës, me kryeministrin Rama. Deri këtu kjo është dhe arsyeja që LSI është këtu që është, për shkak të këtyre njerëzve dhe atyre ministrave që kanë përfaqësuar LSI-në në qeveri dhe kanë mbyllur sytë përballë aferës së inceneratorëve.
Unë si politikane marr përgjegjësinë time që për aq informacione sa kisha që nuk i kërkova më shumë llogari ministrave të LSI-së.
Jam e vetmja që i kam bërë interpelancë ministrit Lefter Koka dhe pse i ngeli qejfi.
Ishte Monika Kryemadhi që ishte në protestë në Mbrostar për inceneratorin e Fierit.
Bllokimi dhe embargoja që i bëhej Monika Kryemadhit në media në lidhje me inceneratorët ishte shumë e madhe.
Sa herë flisja për inceneratorët ata siguroheshin që fjala inceneratorë të mos dilte në asnjë portal me pagesat që bënin për mediat. Mund të thuheshin djegësat e plehrave por jo fjala inceneratorë.
Po kam qenë në qeverisje dhe nuk ka pasur asnjë gjë të keqe. Sa ikëm ne nga qeveria, Shqipëria ra 25 vende në nivelin e korrupsionit, çka tregon se nuk ishim ne problemi por qeverisja”, tha Kryemadhi.
/e.d