Deputeti nga Lugina e Preshevës në Parlamentin serb, Shaip Kamberi, ka kërkuar që Beogradi të vendosë sanksione ndaj Rusisë.
“Themelimi i Kuvendit dhe Qeverisë së re të Serbisë duhet të shoqërohet me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, në përputhje me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian. Ky vendim është në interes të paqes, demokratizimit, zhvillimit e stabilitetit të vendit dhe rajonit”, ka shkruar Kamberi në Facebook.
Kamberi i cili u zgjodh deputet pas një procesi jo edhe aq të lehtë, bëri të ditur se Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës është në komunikim me Partinë e Aksionit Demokratik për ta vazhduar bashkëpunimin.
“Si Koalicion i Shqiptarëve të Luginës jemi në komunikim me ish-partnerin tonë të legjislacionit të kaluar, Partinë e Aksionit Demokratik (SDA) nga Sanxhaku, për ta vazhduar bashkëpunimin dhe për ta zgjeruar me partnerë të tjerë të mundshëm drejt themelimit të një Grupi Parlamentar”, ka thënë ai.
Kamberi ka bërë të ditur se nuk do të bëhet pjesë e koalicionit qeveritar të Serbisë, por sipas tij, parakusht për ta votuar Qeverinë do të jenë disa kërkesa që do të bëhen publike ditëve në vijim, raportojnë mediat kosovare.
Kamberi është deputeti i vetëm i cili do t’i përfaqësojë shqiptarët në Parlamentin e Serbisë.
Në mbështetje, Kamberit i kishte dalë i gjithë spektri politik në Kosovë. Ky do të jetë mandati i tretë i tij, si deputet në parlamentin e Serbisë.
/e.d