Është dënuar me dy vite burg inspektori I policisë, Levzat Veselaj.
Ky person akuzohet se merrte para dhe lejonte ndërtimet pa leje.
Levzat Veselaj u dënua për korrupsion, ndërsa i hiqet e drejta për 5 vite për të ushtruar funksione publike.
Njoftimi:
Komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, më datë 01.07.2022, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është shpallur vendimi lidhur me çështjen penale në ngarkim të të pandehurve Levzat Veselaj dhe Enver Rada, ku trupi gjykuesi përbërë nga gjyqtare AtalantaZeqiraj,vendosi:
1. Deklarim fajtor të të pandehurit Levzat Veselaj për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 vjet burgim.
2. Në bazë të nenit 406 të K.Pr.Penale ulet 1/3 e dënimit me burgim për të pandehurin Levzat Veselaj duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vjet burgim.
3. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Levzat Veselaj fillon nga dita e ndalimit dhe do kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
4. Në aplikim të nenit 35 të Kodit Penal të pandehurit Levzat Veselaj i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë kohe prej 5 (pesë) vjetësh.
5. Deklarimin fajtor të të pandehurit Enver Rada për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1(një) vit burgim.
6. Në bazë të nenit 406 të K.Pr. Penale ulet 1/3 e dënimit me burgim për të pandehurin Enver Rada duke u dënuar përfundimisht me 8 (tetë) muaj burgim.
7. Në bazë të nenit 59 të Kodit Penal, pezullohet ekzekutimi i dënimit me burgim për të pandehurin Enver Rada, duke e vënë në provë të pandehurin për një periudhë kohe prej 16 (gjashtëmbëdhjetë) muaj, me kusht që të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës.
/a.r