Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti familjen dhe miq të kompozitorit të madh shqiptar, Çesk Zadeja. Ky vit, i cili përkon me 95-vjetorin e lindjes së tij, i kushtohet veprës që la pas kompozitori, si një vlerësim për kontributin që ai dha për muzikën dhe artin shqiptar. Zadeja lindi në Shkodër në qershor 1927, në një familje qytetare, dhe u nda nga jeta në gusht 1997.
“Më vjen mirë që këtë vit ia kemi kushtuar profesor Çeskut, që njerëzit të kuptojnë se sot brezi ynë ecën mbi shpatullat e gjigantëve të muzikës sonë, për të shkuar pak më tej. Unë besoj se është edhe një reflektim shumë i madh edhe për ata që nuk janë profesionistë të muzikës sepse në thelb, jeta është një fabul mes atyre që bëjnë muzikë dhe atyre që bëjnë zhurmë. Me muzikë nënkuptohet gjëja e bukur, si të lësh një emër të mirë pavarësisht profesionit që ke, kurse me zhurmë nënkuptohet të pengosh dhe sabotosh pavarësisht profesionit tënd. Ndaj, sot, teksa kujtojmë profesor Çeskun, sfida për secilin prej nesh është të jemi njerëz që bëjmë muzikë, që lëmë vepra të mira, të mbahemi mend për një kontribut dhe energji pozitive, të mos jemi zhurmues, as pengues, as sabotues”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se njerëz të mëdhenj si Çesk Zadeja duhet të kujtohen vazhdimisht, teksa nënvizoi se çdo shkollë e Tiranës duhet të ketë një sallë koncerti për fëmijët dhe të rinjtë e apasionuar pas muzikës.