Prodhuesit e shalqirit në Lushnjë kanë dalë sot në një protestë pasi prej ditësh thonë se nuk shesin dot Asnjë kilogram shalqi. Arsyeja është se sipas tyre grumbulluesit kanë ndërprerë mbledhjen e mallit me synim uljen e çmimit.
Në fshatin Imshte ku janë kultivuar më shumë se 300 hektarë, aktualisht tonelata shalqiri po kalojnë në tejpjekje dhe kjo ishte arsyeja që dhjetëra fermerë kanë protestuar pasi mbetja stok e prodhimit i çon ata ne faliment. Deputeti Erjon Braçe në mbështetje të fermerëve ka theksuar se kjo ishte lojë e grumbulluesve që të ulin çmimin dhe kërkon nga Ministria e Bujqësisë të ndërhyjë.
“Problemet janë shumë të mëdha. Problemi i parë dhe themelor është ai që e thashë pardje dhe që vazhdoj ta theksoj, jemi në mes të 10 ditëshit, kur fillon loja thonë grumbulluesit. Mos grumbullo sot, mos grumbullo nesër, lëri tre ditë, lëri katër ditë pa grumbulluar shalqi me qëllim që çmimi të ulet poshtë. Po kur këta nuk marrin asnjëri faturë dhe qeveria gënjehet atje, organet fiskale gënjehen atje matanë me fatura që nuk bëhen në prezencë të këtyre, por bëhen nëpër zyrat e tyre për të justifikuar lojën atëherë Ministria e Financave duhet të jetë këtu”, deklaroi Brace.
Fermerët nga ana e tyre thonë me këtë situatë janë në prag falimenti të sigurt.
“Ka ngelur malli. Të nxjerrim gjysmën e shpenzimeve. Nuk po shitet malli. Shkak menaxhimi nga qeveria. Ma merr shalqirin me 10 lekë”, thanë fermerët.
Kjo nuk është hera e parë që ish-Zëvendëskryeministri Erion Braçe merr pjesë në një protestë të fermerëve. 2 javë më parë ai ishte edhe në protestën e fermerëvë të fshatit Çermë e Poshtme në Lushnje, të cilët kanë kultivuar rreth 100 hektarë me shalqi dhe kundërshtuan çmimin e ulët të shitjes me shumicë.
g.kosovari