Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me masakrën me tre të vrarë shqiptarë në Athinë. Sipas mediave greke, autoritetet thonë se prapa kësaj ngjarje të tmerrshme fshihen larjet e hesapeve për pazaret e drogës.
Protagonist i kësaj ngjarje të rëndë ishte 48-vjeçari me origjinë shqiptare, i identifikuar si Andon Tefi, i cili edhe ky humbi jetën pas përplasjes me armë me policinë.
Mësohet se Tefi ka qenë anëtari i një bandë, e cila është shkatërruar në muajin maj, ndërsa personi që ka mbetur i plagosur është kreu i bandës.
Gjithçka nisi mbrëmjen e së shtunës, kur anëtarët e dy grupeve nga Shqipëria u takuan në rrugën Kourtidou, në Kato Patisia, për t’u sqaruar.
Në vendngjarje kanë mbërritur një Mercedes me një shofere femër dhe 48-vjeçarin, një Audi me tre persona , një motor me një dhe një Polo me tre persona të tjerë.
Kur 48-vjeçari pa që kreu i bandës rivale nuk ishte i vetëm por shoqërohej nga persona të tjerë, ai nxori pistoletën dhe filloi të qëllonte. Nga të shtënat e para ka mbetur i plagosur rëndë një i ri që drejtonte një motoçikletë.
Ndërkohë mediat greke kanë publikuar edhe një video, ku dëgjohen krismat e armëve, por edhe të bërtiturat e disa personave.
Sakaq, janë zbardhur dëshmitë e banorëve që ishin të pranishëm në vendin e ngjarjes pas përplasjeve në Athinë ku mbetën të vdekur tre shqiptarë. Ato thanë se fillimisht menduan se ishin fishekzjarre, ndërsa më pas kanë parë efektivët te plagosur.
Mësohet se dy shqiptarët e vrarë, të cilët rezultojnë shokë me njeri tjetrin pasi të dy ndodheshin në automjetin “Mercedes-Benz”, rezultojnë të arrestuar për çështje droge në maj të vitit të kaluar në Athinë.
‘Ishim ulur jashtë dhe papritmas dëgjuam të shtëna armësh. Në fillim menduam se ishte fishekzjarre. Më pas kuptuam se çfarë ndodhi. Ne pamë një oficer policie që po çalonte dhe një tjetër që ishte i shtrirë në tokë. Kishim frikë. Disa thonë se ka grabitur një dyqan dhe teksa po kalonin policët, hapi zjarr ndaj tyre”, thotë një dëshmitar okular.
/e.d