Çmenduri që i kalon edhe imagjinatat e një filmi mund të quhet ajo që ka ndodhur në Athinë mbrëmjen e së shtunës. Protagonistët negativë të kësaj ngjarje dyshohet se kanë qenë disa shqiptarë. Tre prej tyre kanë mbetur të vdekur si pasojë e të shtënave me armë në kryeqytetin helen. Një prej viktimave ndërroi jetë ditën e sotme pasi nuk arriti që t’i mbijetonte plagëve.
Por çfarë ndodhi? Protothema shkruan se përplasja ndodhi mes dy bandave shqiptare të cilat merren me shpërndarje droge. Madje disa prej tyre janë me precedentë të mëparshëm penalë sa i përket lëndëve narkotike.
Duket se gjithçka nisi të shtunën në mëngjes. Anëtarët e dy familjeve janë takuar në lagjen Kato Patisia, në mënyrë që të zgjidhnin mosmarrëveshjet. Megjithatë nuk është pritur shumë që situata të shpërthente dhe të shkaktonte një masakër.
Rreth orës 21:30, në Kato Patisia, një makinë tip “Mercedes Benz” që drejtohej nga një grua dhe brenda ndodheshin 2 pasagjerë të tjerë u afrua dhe nga aty u qëllua me pistoletë në drejtim të një të riu që udhëtonte me motor, duke e lënë të plagosur.
Por pas motorit udhëtonte një makinë tip “Audi” me dy persona brenda. Aty ndodhej edhe babai ndaj të cilit u bë atentat. Sipas policisë, babai ka reaguar duke qëlluar me armë dhe vrau atentatorin e djalit të tij në shenjë hakmarrjeje.
Ndërkohë pasagjeri tjetër në mjetin “Audi” u përpoq të largohej, por në tentativë arratisjeje u godit nga një makinë që po kalonte dhe u plagos. Plagët ishin të rënda. Shqipëri u dërgua në spital, por nuk mbijetoi dot. Lajmi i vdekjes së tij u konfirmua këtë të diel.
Ndërkohë një pasagjer në makinën “Mercedes” hapi zjarr, la makinën dhe nën kërcënimin e armës vodhi një mjet tjetër, duke u arratisur në zonën Agioi Anargyros.
Ai u lokalizua menjëherë nga autoritetet, ku dyshohet se tentoi që të vidhte edhe një bar, ndërsa më pas të arratisej në këmbë. Gjatë ndjekjes nga policia, shqiptari ka qëlluar me armë ndaj tyre, duke plagosur një polic në këmbë ndërsa një tjetër në kofshë. Policët u kundërpërgjigjën duke qëlluar ndaj shqiptarit dhe duke i shkaktuar vdekjen.
Në të njëjtën kohë, u bë i mundur edhe arrestimi i shoferes femër të “Mercedesit”. Mësohet se policët janë jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë ende është e paqartë se pse shpërtheu “lufta” mes shqiptarëve. Deri më tani mbeten të paditura edhe identitetet e të përfshirëve në këtë ngjarje kaq të rëndë.
/a.r