Rastet e infarkteve, janë të shumta në stinën e verës, e veçanërisht në plazhe. Mjekja kardiologe, Anila Shahini, argumenton se fatalitetet që ndodhin pas futjes së menjëhershme në ujë, vijnë pasi trupi është i papërgatitur për ndryshimin e menjëhershëm të temperaturës. Më të rrezikuarit janë të moshuarit dhe personat me patologji kardiake.
“Arsyeja e fataliteteve në stinën e verës, të shkaktuara nga futja në ujë apo notimi, është diferenca e madhe e temperaturës së ujit me atë të ambientit të jashtëm, mos përgatitja e mirë fizike paraprake. Fatalitetet i faturohen ngushtimin e enëve të gjakut dhe në raste të rralla ndodh edhe tek individë të shëndetshëm”, tha mjekja.
Por, sipas saj ka disa mënyra për të shmangur goditjet në zemër.
“Trupi të jetë u përshtatur me temperaturën e ujit. E mira është që futja në ujë të jetë sa më graduale, duke ekspozuar gradualisht trupin në ujë. Duke freskuar pjesën e sipërme të trupit, pasi është një test paraprak se sa tolerant jemi ndaj ujit”, thotë Shahini.
Gjatë stinës së verës, mjekja këshillojnë konsumim sa më shumë të lëngjeve dhe frutave, për t’i dhënë mundësi trupit të jetë i hidratuar. Ndërsa këshillon edhe shmangien e daljes jashtë, në pikun e vapës.
“Të eliminojnë daljen kur temperaturat rriten ndjeshëm. Duhet të jenë të kujdesshëm që të hidratohen mirë. Të konsumojnë ujë edhe kur nuk kanë etje”, përfundoi ajo.
Mjekja, e konsideron shumë të rëndësishme edhe njohjen e vetes, ndaj thotë që meshkujt mbi 40 vjeç dhe për gratë mbi 50 vjeç të kryejnë vizita tek mjeku specialist./shqiptarja.com
g.kosovari