Ish.zv.kryeministri Erion Braçe ka pasur një thirrje për qytetarët, të lënë kafenetë që të ndihmojë fermerët që të sheshin shalqinin.
Ai ka denoncuar një skemë të padrejtë dhe të turpshme, siç e cilëson duke thënë se shalqini po blihet me një çmim shumë të ulët nga fermeri dhe më pas nëpërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, e nxjerrin në Europë me një çmime 3-fish më të lartë.
“Lërini kafenetë e kafetë në Tiranë; Lërini zyrat me kondicioner që ua paguajnë edhe bujqit; Ejani në fusha e ndihmoni, zgjidhni të shesin shalqinin! Situata në Cermë të Sipërme, Sektor, Proshkë, Pasha, Shkumbin, Shenepremte, në anën tjetër, në Halilaj, Bubullime, Eskaj, Gjonas, Imshte, Kallm i Vogël e Kallm i madh; Është dramatike! Nuk bëhet fjalë për çmimin, tani bëhet fjale për prodhimin mbetur në fushe e nën temperatura 39-40 grade, ka vetëm 6 ditë jetë; më tej zverdhet e kalbet!
Ejani atje e merruni me lojën! Cilën lojë? Atë të blerjes më të lire këtu-10 lekë e poshtë, nxjerrjes në Maqedoni e Kosovë dhe prej aty në gjithë evropen por me cmim 3-3 herë e gjysmë më të lartë! Është padrejtësi! Është turp”, shkruan Braçe.
Ky reagim vjen pasi vetë Braçe ka qenë i pranishëm në një protestë me fermerët e fshatit Çermë e Poshtme në Lushnje, të cilët thonë se kanë arritur që të sheshin vetëm 100 hektarë shalqi, si pasojë e çmimit të ulët të shumicës. Për këtë fajtorë bëjnë pikat e grumbullimit, sipas së cilëve e kanë fiksuar çmimin me 12 lekë/kg, duke kërkuar që të jetë 18 lekë për kg. Zgjidhja, sipas Braçes, është krijimi i kooperativave, ose ndryshe magazinave publike me menaxhim shtetëror.
g.kosovari