Gjykata e Elbasanit ka vendosur këtë të shtunë të rikthejë në punë gjashtë efektivët e “Shqiponjave” që më herët u pezulluan nga detyra apo ushtrim i çdo funksioni publik, pasi u akuzuan nga prokuroria për ngjarjen e ndodhur katër ditë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021, ku mbeti i vdekur Pjerin Xhuvani.
Lajmi konfirmohet nga gazetari i Panorama në Elbasan. Pak ditë më parë u publikua dhe dosja e prokurorisë sipas së cilës thuhet se ngjarja ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe u plagosën 4 të tjerë në Elbasan mund të ishte parandaluar nëse policia do të kishte ndërhyrë në kohë.
Në këtë konkluzion do të dilte prokuroria e Elbasanit, pas më shumë se një viti e 2 muaj hetime nga ngjarja e rëndë.
Gjykata dërgoi në arrest shtëpie dy ish-zv.drejtorët e policisë së qarkut, Nikollaq Palla dhe Albert Nushi, ndërsa u pezulluan nga detyra 6 oficerë të Forcës së Posaçme “Shqiponja”.
Zyrtarët e policisë po qëndronin në trotuar, duke biseduar me Hoxhën, teksa ky i fundit iu tha se bashkë me kolegët e tij, kishin bllokuar një automjet pa targa, pasi kishin dyshime se drejtuesi i saj, i identifikuar si Mehmet Greca, po blinte vota në favor të Partisë Socialiste.
Policia nuk ndërhyri ne kohë, duke lejuar që në ndihmë të Mehmet Grecës të vinte Pjerin Xhuvani, Klement Xhaferri Gentian Sharra, Elton Bodinaku, Luan Tabaku, Mario Cela, Marsel Rroka, etj, të cilët lëviznin me 3 automjete.
Palët u konfliktuan mes tyre dhe pati shkëmbim zjarri, ku për pasojë mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, ndërsa u plagosën 4 të tjerë. Për vrasjen e Xhuvanit akuzohet ish efektivi special i RENEA-s, Arbër Paplekaj, ndërsa dy personat që qëlluan në drejtim të tij nuk janë identifikuar.
“Nga ana e dy zv drejtorëve, Albert Nushi, drejtor i Hetimit për Krimet, dhe Nikollaq Palla, drejtor i Hetimit për Rendin, dhe nga ana e trupës policore të Forcave të Posaçme Shqiponja nuk është vepruar fillimisht për të shoqëruar Mehmet Grecën dhe mjetin e tij. Moskryerja e këtij veprimi ka lejuar miqtë e Mehmet Grecës që të marrin territor dhe të dominonin në prani të Forcave të Policisë të shtetit”, thuhet në dosje.
Sipas prokurorisë, zyrtarët e policisë mund të reagonin në përputhje me situatën, duke përdorur dhe armën e zjarrit, që të ruanin jetën e qytetarëve.