Nga Ardit Rada
Pak para vitit 2022, qeveria shqiptare shpalli emergjencën e furnizimit me energji elektrike, e diktuar kjo nga kriza globale që u shfaq si rrufe në qiell të hapur. Kjo situatë pezulloi përkohësisht planet e tri kompanive publike, ndërkohë që çmimi i një megavati në burse arrinte deri në 323 euro. Sikur të mos mjaftonte e gjitha kjo, duke parë situatën e krijuar në Kosovë, Shqipëria vendosi të ndihmojë me furnizim me energji elektrike të saj në mënyrë që qytetarëve mos t’ju mungojnë dritat në dy ditët e festave të fundvitit. Shqipëria ka mundur te sigurojë që të furnizojë Kosovën me 7680 megavatë/orë për 31 dhjetorin dhe 1 janarin 2022 ne formën e depozitës dhe pa efekt financiar.
E ndodhur para kësaj situate, Shqipëria nuk ishte aspak imune ndaj krizës që ka hyrë në një cikël të rrezikshëm dhe që ka alarmuar vendet nga Bashkimi Evropian, e deri në Kinën e largët. Vendi ynë e blinte një vit më parë 55 euro megavatin në të njëjtën periudhë si sot. Teksa gjatë krizës së energjetikës çmimi arriti rekordin deri në 550 euro.
Nga ana tjetër, lufta Rusi-Ukrainë diktoi që çmimi të shkonte të paktën 340 euro për megavat në bursë. Për të përballuar gjendjen e krijuar dhe aspak afatshkurtër, u desh që qeveria të krijonte edhe një plan të posaçëm dhe një grup ndërinstitucional për menaxhimin e krizës.
Plani i posaçëm, sipas qeverisë, synon mbrojtjen e biznesit të vogël dhe të konsumatorëve familjarë. Por pavarësisht shpalljes së krizës energjetike, qeveria ka vendosur t’i përmbahet vendimit të Entit Rregullator të Energjetikës që mban vulën e vitit 2014.
Pra, sado që të blihet energjia në treg, ajo do të paguhet nga qytetarët me 9.5 lekë/kilovat. E gjithë diferenca tjetër mbetet të paguhet nga kompanitë publike të qeverisë, duke subvencionuar kështu biznesin e vogël dhe familjet shqiptare. Në fakt, çmimi i bursës nuk u diktua kryesisht nga lufta. Në të ndikuan tri faktorë siç janë, rikthimi i prodhuesve të mëdhenj në treg pas dy vitesh pandemie. Ata kërkuan të ‘fitonin kohën e humbur’ duke shtuar kapacitetet prodhuese e si pasojë edhe kërkesën për energji. Së dyti, Evropa prej vitesh është e ‘pafat’ sa i përket prurjeve hidrike, si shiu apo erërat. Dhe së treti, ‘fikja’ e TEC-eve me qymyr dhe lëndë të tjera djegëse sipas kërkesës së Bashkimit Evropian, bazuar në normat e ndotjes, ndikoi gjithashtu në rritjen e çmimit në bursa.
Por si ndodh subvencionimi i qeverisë për familjarët dhe bizneset e vogla në rastin e Shqipërisë? Për ta kuptuar më thjeshtë ‘thesin e padukshëm’ që qeveria ka hapur, mjafton analizimi i një shembulli për familjarët.
Kështu, një faturë e konsumit minimal familjar shkon diku tek 35 mijë lekë të vjetra në muaj. Mbi këtë faturë nëse çmimi nuk do të bllokohej, do të aplikohej rritja me të cilën qeveria e blen energjinë në bursa dhe ajo do të arrinte nga 35 mijë lek në 130 mijë lekë të vjetra. Diferenca që paguan buxheti i shtetit në këtë rast për këtë familje është 99 mijë lekë të vjetra.
Paketa e Rezistencës ka garantuar që familjet dhe kompanitë të mos preken nga rritja e çmimit të energjisë në bursë. Paketa në fjalë parashikoi 20 miliardë lekë të rinj, ose 200 milionë dollarë, për të mbajtur të palëvizur çmimin e energjisë elektrike në faturat e familjarëve dhe bizneseve të vogla. Pritshmerite jane qe kjo shume do te jete shume me e madhe se kaq deri ne fund te vitit.
Nga e gjithë skema përfitojnë plot 726 mijë familje dhe 95 mijë biznese, që vijojnë ta paguajnë konsumin e energjisë elektrike me çmimin para krizës, ndërkohë që çmimet pas krizës dhe gjatë krizës me çfarë na diktojnë ligjet e bursave, janë shumëfish.