Aktivizohet në Shqipëri Brigada e Asistencës së Forcave të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SFAB), një ekip të cilës do të mbështesë dhe këshillojë Batalionin e Dytë të Këmbësorisë së Forcës Tokësore.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, në prani edhe të Ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi dhe ambasadores së SHBA në Shqipëri Yuri Kim u theksua rëndësia e ndërveprueshmërisë mes aleatëve të NATO-s në një terren të ri për sigurinë botërore.
Në fjalën e tij, ministri Peleshi vlerësoi mbështetjen dhe ndihmën e vazhdueshme që SHBA kanë dhënë për Forcat e Armatosura.“Ky grup-batalion është objektivi ynë kryesor në NATO dhe jemi duke punuar intensivisht për të bërë të mundur realizimin e të gjitha detyrimeve në këtë kuadër dhe padyshim asistenca e ekipit amerikan është e një rëndësie të veçantë. Jam i bindur që puna juaj do të japë frytet e saj dhe do të kurorëzohet me certifikimin e suksesshëm që kjo strukturë do t’i nënshtrohet gjatë muajit shtator të këtij viti“, u shpreh Ministri i Mbrojtjes.
Duke theksuar vendimet tejet të rëndësishme që u morën në Samitin e NATO-s në Madrid si dhe miratimin e Konceptit të ri Strategjik të Aleancës, ministri Peleshi garantoi forcimin e angazhimit të Shqipërisë përkrah aleatëve të saj ushtarakë. “Shqipëra, jo vetëm që do të vijojë të jetë pjesë e trupave në krahun lindor të Aleancës me prezencën tonë në Letoni, por do të shtojë kontributin edhe në Bullgari, në kuadër të Grup-Batalioneve të reja që do të krijohen në disa prej vendeve anëtare të Aleancës. Ne do të vijojmë të përmbushim me seriozitet dhe profesionlizëm detyrimet në Aleancë dhe detyra juaj, të nderuar ushtarakë është të shfrytëzoni në maksimum këtë mundësi që ju jepet për të rritur dhe më tej standardet operacionale në mënyrë që të jeni të ndërveprueshëm me homologët tuaj“, theksoi ministri Peleshi.
Në fjalën e saj, ambasadorja amerikane Yuri Kim e vlerësoi aktivizimin e Brigadës së Forcave të Sigurisë dhe të ndihmës së ushtrisë së SHBA si një hap të rëndësishëm për të çuar në lartësi të reja marrëdhëniet SHBA-Shqipëri.
“Është e rëndësishme që ju të përmbushni të gjitha objektivat tuaja që u diskutuan edhe në Samitin e NATO-s. Bota ka ndryshuar, ka sfida të reja, të cilat duhet të përmbushen.
Çdo aleat duhet të jetë i gatshëm, i përgatitur dhe për këtë arsye jemi të kënaqur për forcën e sotme në mënyrë që të jemi të gatshëm, që NATO të jetë e gatshme.
Nën drejtimin e ministrit Peleshi dhe gjeneral brigade Kingjit forcat shqiptare vazhdojnë të përmirësohen përmes modernizimit, zhvillimit të infrastrukturës dhe ndryshimeve strukturore që do të luajnë një rol të rëndësishëm, jo vetëm për Shqipërinë, po për sigurinë rajonale dhe globale. Ndërveprueshmëria e alatëve të NATO-s është vendimtare’, vlerësoi ambasadorja Kim.
Në ceremoni morë pjesë edhe Zv.Shefja Shtabit të Përgjthshëm të FA gjeneralmajor Manushaqe Shehu dhe komandanti i Forcës Tokësore Arben Kingji.
Aktivizimi i ekipit të Brigadës së Asistencës së Forcave të Sigurisë së SHBA në Shqipëri vjen pas aktivizimit në vendin tonë edhe të Shtabit të Përparuar të Forcave Speciale Amerikane në Evropë./m.j