Një ngjarje e rëndë është shënuar në shtetin fqinj.
Një 50-vjeçar shqiptar në Greqi ka rrëmbyer vajzën e tij 22-vjeçare, pasi kjo e fundit kishte një lidhje me një 37-vjeçar. Familja nuk e miratonte këtë lidhje.
Policia e Sigurimit në Kypseli po heton ngjarjen.
Sipas denoncimit, babai 50-vjeçar së bashku me djalin e tij 21-vjeçar, kanë kryer rrëmbimin e 22-vjeçares.
Dy burrat së bashku me një shok të tyre, pasditen e së dielës kanë dalë me makinë në rrugët e Kypselit dhe kanë nisur të kërkojnë të renë.
Pasi e kanë lokalizuar duke ecur së bashku me të dashurin e saj 37-vjeçar, kanë zbritur nga automjeti i tyre dhe me forcë verbale e fizike kanë kapur të renë.
Babë e bir e çuan në një apartament të nëndheshëm në Kaosariani.
Ata ishin kujdesur t’i merrnin celularin 22-vjeçares , në mënyrë që ajo të mos mund të kërkonte ndihmë ndërkohë që e kishin mbyllur në apartament.
Babë e bir u përpoqën me orë të tëra ta bindnin që të hiqte dorë nga lidhja e saj, ndërsa përpiqeshin të siguroheshin që ajo të mos informonte Policinë.
Skena zgjati deri mëngjesin e së hënës kur vajza kërkoi të shkonte në tualet dhe arriti të kërkonte ndihmë, shkruan protothema.
Pas pak minutash në vendin e ngjarjes mbërriti policia dhe pasi trokitën në derën e bodrumit e zbuluan se çfarë po ndodhte.
Të gjithë u dërguan në komisariat dhe 22-vjeçarja denoncoi babanë, vëllain dhe personin e tretë.
Dy të parët janë arrestuar dhe ndaj tyre është ngritur procedimi për veprën penale të rrëmbimit të personit në komplot, ndërsa tani fjalën e ka Drejtësia./m.j