Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë shumë pranë nisjes zyrtare të negociatave me Bashkimin Evropian për integrimin në Union. Lajmin e bën të ditur, duke cituar burime nga presidenca franceze, gazetarja e ABC, Erisa Zykaj.
Ndërsa citonte deklaratat e bëra më herët nga presidenti Emmanuel Macron, Zykaj raporton se presidenti francez rikonfirmoi që po punohet me orë intensive për të nisur kapitujt e parë për proceset euro-integruese për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pra sipas saj, bëhet fjalë për shkuarjen përtej caktimit të një date për Konferencën e Parë Ndërqeveritare.
“Detajet e fundit do të precizohen në Shkup. Por sipas sinjaleve, burimet thonë se jemi shumë afër hapjes zyrtare të negociatave me Shqipërinë dhe RMV.”
Po ashtu, gazetarja Erisa Zykaj raporton, duke cituar burime nga presidenca çeke që merr kryesimin e BE-së nga e premtja, se po punohet intensivisht që të bëhet i mundur sa më shpejt takimi i ambasadorëve të përhershëm të BE, pra në fillim të korrikut.
“Nuk ka kurrsesi vend, që të mendohet se po shkojmë drejt një dështimi,” thotë gazetarja.
Kujtojme se me heret gjate dites kryeministri Edi Rama ka ndarë në llogarinë e tij në Facebook një video me pamje nga punimet në samit, ndërsa janë mbledhur krerët e 30 vendeve anëtare të aleancës ushtarake që udhëhiqet nga SHBA, me fokus mbështetjen për Ukrainën.
“Mbase sot lajmi i mirë…”, shkruan kreu i qeverisë, ndërsa shfaqet duke biseduar me liderët perëndimorë dhe presidentin bullgar Rumen Radev. /m.j