Shkëlzen Lamuça, zjarrfikësi hero që i shpëtoi jetën dy vajzave të vogla të familjes Nanaj pas zjarrit që ra në një pallat në zonën e Astirit, është nderuar me Medaljen e Mirënjohjes së Qytetit të Tiranës nga kryebashkiaku Erion Veliaj. Zeni, ashtu si i pëlqen ta thërrasin në rrethin e ngushtë të miqve, falë aftësive të tij dhe ndihmës së kolegëve, mundi t’i nxirrte në kohë vajzat nga pallati i rrezikuar, një ngjarje që fatmirësisht u mbyll pa persona të lënduar.
Në pritjen e organizuar nga Bashkia e Tiranës, Veliaj i shprehu mirënjohjen zjarrfikësit. “Jam shumë i nderuar që të kam koleg. E gjithë Tirana është krenare për ty! Jemi të gjithë pjesë e një skuadre, por edhe brenda skuadrës ka nga ata që rrezikojnë më shumë se të tjerët, që lodhen më shumë se të tjerët dhe që meritojnë gjithë mirënjohjen e ne të tjerëve. Të jam shumë mirënjohës dhe të falënderoj shumë!”, u shpreh ai.
Kryebashkiaku theksoi se me administrimin e një drejtorie kaq të rëndësishme për qytetin, si Zjarrfikësit e Tiranës, bashkia ka investuar në pajisjen e tyre me mjete për t’u ardhur në ndihmë jo vetëm njerëzve në situatë zjarresh, por në çdo ngjarje ku nevojitet ndërhyrje e specializuar.
“Sapo shërbimi zjarrfikës kaloi në administrimin e bashkisë, e kemi marrë shumë seriozisht këtë punë sepse është një punë që lidhet me jetën e njeriut, me dinjitetin e qytetit, me sigurinë e pronës. Shumica e njerëzve mendojnë se zjarrfikësit janë aty vetëm për të shuar zjarre, por ata janë aty edhe kur bllokohet ashensori, kur ndodhin aksidente rrugore, japin ndihmën e shpejtë në shumë situata kur zjarrfikësit mbërrijnë edhe përpara shërbimeve të tjera. Jam posaçërisht krenar që, jo vetëm kemi shtuar pajimet, – sot kemi mjete ultra moderne, – por, unë besoj se aseti numër një nuk janë as zjarrfikëset, as veshjet, as mjetet e punës: Aseti numër një janë njerëzit. E vlerësoj jashtë mase punën tënde Zen, sepse me çuna si ty dhe zonjat që i janë shtuar shërbimit, kemi bërë gjëra që nuk ka mjet që i bën. Mjeti nuk e vendos dot nëse do hipim në ballkonin e katit të 7, duke rrezikuar, siç bërë ti për dy vogëlushet e mrekullueshme, prandaj me uratën, mirënjohjen, falënderimin dhe bekimet e asaj familjeje, vijnë edhe urimet e mia në emër të qytetit”, nënvizoi Veliaj.
Zjarrfikësi hero, i cili mori falënderime edhe nga babai i vajzave të vogla, Beqo Nanaj, u shpreh se shpëtimi i jetës së vajzave të vogla ishte një nga kënaqësitë më të mëdha që ka përjetuar gjatë gjithë karrierës si zjarrfikës. “Ishte kënaqësi, një emocion i madh, të shpëtoja dy jetë fëmijësh, dy engjëj të vegjël. Kur zbrita dy vajzat në tokë ishte kënaqësia më e madhe që kam ndjerë në këto vite, një emocion i papërshkrueshëm. Jam krenar! I falënderoj edhe vajzat! Iu uroj shëndet, suksese dhe fat kudo, bashkë me familjen!”, pohoi Shkëlzen Lamuça.
Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës të Tiranës, Shkëlqim Goxhaj tha se menjëherë pas raportimit të ngjarjes së rëndë dhe mbërritjes së forcave zjarrfikëse, Shkëlzeni ishte i pari që reagoi me autoshkallën e tij, duke evakuuar dy vajzat e vogla, si dhe duke vijuar me evakuime të tjera.
/a.r