Ka ndërruar jetë prezantuesja e podcast-it të BBC-së, Dame Deborah James. 40-vjeçarja po luftonte prej 5 vitesh me kancerin në zorrë.
Lajmin e trishtë e ka bërë të ditur familja e saj përmes postimeve në rrjetet sociale. Ata postuan një fotografi të nënës së dy fëmijëve duke buzëqeshur në sfondin e një muzgu të qetë dhe bashkëngjitur me të shkruanin:
“Jemi thellësisht të pikëlluar të njoftojmë vdekjen e Dame Deborah James; gruaja, vajza, motra, mamaja më e mahnitshme. Debora ndërroi jetë e qetë sot, e rrethuar nga familja e saj.
Deborah, të cilën shumë prej jush do ta njohin si Bowelbabe, ishte një frymëzim dhe ne jemi jashtëzakonisht krenarë për të, punën dhe angazhimin e saj ndaj fushatave bamirëse, mbledhjes së fondeve dhe përpjekjeve të saj të pafundme për të rritur ndërgjegjësimin për kancerin që preku shumë jetë.
Deborah ndau përvojën e saj me botën për të rritur ndërgjegjësimin, për të thyer barrierat, për të sfiduar tabutë dhe për të ndryshuar bisedën rreth kancerit.
Edhe në momentet e saj më sfiduese, vendosmëria e saj për të mbledhur para dhe ndërgjegjësim ishte frymëzuese”.
Mediat e huaja shkruajnë se në javët e saj të fundit, prezantuesja e podcast-it të BBC-së ‘You, Me And The Big C’ mblodhi 6.75 milionë paund për punën e saj ‘të palodhur’ në përmirësimin e ndërgjegjësimit për sëmundjen.
Deborah u diagnostikua me kancer në zorrë në dhjetor të vitit 2016, të cilës iu tha që herët se mund të mos jetonte më shumë se pesë vjet – një moment historik që kaloi në vjeshtën e 2021.
Deborah, mamaja e Hugo, dhe Eloise, me bashkëshortin e saj Sebastien, u cilësua si ‘frymëzim’ nga fansat pasi ndau betejat e saj në mediat sociale, si dhe në “Radio 5 Live’s You, Me and the Big C”, nga të cilat ajo ishte një nga tre prezantueset.
Më 9 maj, nëna e dy fëmijëve ndau një mesazh “lamtumire” për ndjekësit e saj në “Instagram”, duke zbuluar se ajo po transferohej në bujtinë në shtëpinë e prindërve të saj.
Ndërsa ajo tha në atë kohë se askush nuk e dinte se sa mund të jetonte, ajo së fundmi zbuloi se iu dhanë vetëm disa ditë kur doli nga spitali muajin e kaluar.
Deborah – e cila këmbënguli se nuk kishte lënë “asnjë gur pa lëvizur” gjatë kërkimit të saj për “mrekullinë e mjekësisë magjike” – lançoi fondin e saj “Bowelbabe” për kërkimin e kancerit, i cili mori më shumë se 6.7 milionë paund në donacione.
/e.d