Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela ka dhënë dakordësinë për hartën e re gjyqësore të hartuar nga KLGJ.
Në letrën dërguar Ministrisë së Drejtësisë, Çela thotë se vlerësojnë frymën e këtij bashkërendimi dhe koordinimi ndërinstitucional në përballje me nevojat për të lehtësuar rritjen e ngarkesës dhe mbështetur veprimtarinë e prokurorëve me numër të reduktuar.
Sipas Çelës, harta e re gjyqësore vjen në kuadrin e procesit të pritshëm që sjell rritjen e kapaciteteve akomoduese me ambiente pune për prokurorët, oficerët e policisë gjyqësore të seksioneve, administratës dhe shërbimeve mbështetëse në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm.
Ky vendim i kryeprokurorit vjen në një kohë kur shumë gjykata të vendit janë në kaos pasi avokatët po bojkotojnë seancat gjyqësore për shkak të hartës së re gjyqësore. Kujtojmë se Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja në një prononcim për Report Tv, është shprehur se bojkoti që po zhvillojnë avokatët kundër hartës së re gjyqësore është i papranueshëm, pasi po u mohojnë qytetarëve aksesin në drejtësi. Manja ‘këshilloi’ avokatët që të shohin rrugën e përballjes ligjore, pas miratimit të hartës së re gjyqësore, ndërsa shtoi se janë marrë në konsideratë sugjerimet e tyre.
13 gjykata të shkallës së parë, 2 gjykatë administrative dhe 1 gjykata apeli për të gjithë vendin. Ky është përfundimisht propozimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor për hartën e re gjyqësore në vend pas muajsh konsultimesh me grupet e interesit. I vetmi ndryshim nga propozimi i kaluar është se është shtuar një gjykatë e shkallës së parë në Sarandë që me propozimin e kaluar ishte hequr. KLGJ ka miratuar draftin i cili tashmë pritet të kalojë për mendim në Këshillin e Ministrave, Këshillin e Lartë i Prokurorisë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Financave. Me vendimin e ri shkrihen gjykatat në Tropojë, Krujë, Lushnje, Pogradec, Krujë, Mat, Përmet, Kurbin, Kavajë, Pukë.
Report Tv ka siguruar relacionin e Këshillit të Lartë Gjyqësor i cili shpjegon se për të arritur në draftin me 13 gjykata të shkallës së parë nga 22 dhe në një apel nga 6 që kishte më parë ata kanë marrë modelet, Daneze, Portugeze, Suedeze, Holandeze dhe modelin e Moldavisë.
/e.d