Akademiku Artan Fuga ka drekuar këtë të diel me Presidentin Ilir Meta, ku në një postim në “Facebook” shkruan se ka zhvilluar me Kreun e Shtetit një bisedë sa substanciale dhe serioze, aq edhe miqësore, e këndshme, dhe me shumë humor të hollë.
Mes të tjerash, Fuga thekson se ka folur me Presidentin Meta për gjithçka, për burrat e mëdhenj dhe gratë dinjitoze të Skraparit dhe Beratit në histori, për dëshmorët dhe viktimat, për historinë e partisë socialiste që në shumë pika vetëm ne e dimë të vërtetën, për heronjtë e vërtetë të demokracisë…”.
Postimi i Artan Fugës:
Unë gjithë jetën time nuk e di përse ndihem afër personaliteve dhe pushtetarëve të lartë kur janë në fund të një mandati politik. Kur janë në fillim u qendroj larg! Kur janë në mes? nuk di çfarë të them!
Pas një dreke me z. President Ilir Meta! Një bisedë sa substanciale dhe serioze, aq edhe miqësore, e këndshme, dhe me shumë humor të hollë!
U kënaqëm vërtet! Drekë dietike me pak peshk, pak perime, dhe sallatë barishtesh!
Për çfarë nuk folëm, për burrat e mëdhenj dhe gratë dinjitoze të Skraparit dhe Beratit në histori, për dëshmorët dhe viktimat, për historinë e partisë socialiste që në shumë pika vetëm ne e dimë të vërtetën, për heronjtë e vërtetë të demokracisë që pasi çanë muret e ambasadave nuk rrahën gjoksin dhe nuk kërkojnë të dalin në presidiume, për opozitën dhe pushtetin, për barishtet e zjera si ushqim i mirë, për dorëzimin e mandateve si vetëdorëzim i përgjegjësive që i ishin kërkuar kombit, për traditat e mëdha shqiptare, për skuthat, hipokritët, për verën e Delvinës, për energjitë e reja politike alternative që Shqipëria ka nevojë. Ja këto!
Dhe si kujtim një foto!
Lamë takime të tjera sipas kohës dhe mundësive.
/e.d