Nga Sabri Kiçmari
Duhet të ketë qenë vjeshta e vititi 1995 kur e kam parë për herë të parë akademik Rexhep Qosjen, në
një orë letrare. Me një mjekërr të zezë e karakteristike, me trupin drejt dhe kokën lart, kur hyri në
sallën e Fakultetit Filozofik, ku mbahej ora letrare, salla u elektrizua nga duartrokitje frenetike. Kishte
diçka sokratiane në këtë skenë. Ai ishte bërë simboli karizmatik i dijetarit, të cilin ne, të rinjtë dhe të
rejat veprimtarë për Republikën e Kosovës, e konsideronim se është “në anën tonë, në anën e
Republikës.” Diçka e tillë nuk ishte e rëndomtë në atë kohë.
Sociologu francez Pierre Bourdieu duke analizuar ambientin social në një shoqëri në mesin e
katër formave të kapitalit e definon edhe kapitalin kulturor. Ai e dallon kapitalin kulturor nga ai
ekonomik, social dhe simbolik. Nuk ka asnjë personalitet në botën intelektuale shoqërore në Kosovë
të jetë i pajisur me më shumë vlera etike e kulturore se sa akademik Rexhep Qosja. Në krijimin e këtij
kapitali vleror, profesor Qosja është ndeshur me kundërshti, arrogancë të pushtetit, përndjekje dhe
dhunë të hapur psikologjike. Rezistenca e tij ndaj të padrejtës, robërisë dhe pabarazisë e ka shndërruar
atë në simbol të dinjitetit intelektual ndër shqiptarë.
Figura karizmatike e Rexhep Qosjes është krijuar nëpër decenie për të marrë karakterin e një prej
personaliteteve më të shquara të botës shkencore, politike dhe shoqërore ndër shqiptarë. I lindur më
25 qershor 1936 në Vuthaj, në Krahinën e Malësisë, ku mbaroi klasët e para të fillores dhe pastaj
gjysmëmaturën në Gusi, si djalë i ri u vendos fillimisht në Mitrovicë dhe pastaj në Prishtinë. Prishtina
dhe Vuthaj do ta përcjellin gjatë gjithë jetës së tij si ambiente jetësore, me gjithë dallimet e mëdha të
tyre. Çdo verë profesori do të shkojë në Vuthaj, për të shijuar ajrin e pastër të bjeshkëve dhe për të
përjetuar dashurinë e pamasë të malësorëve, kurse në kohë pune e semestrash do të kalojë në mesin e
studentëve, pedagogëve, studiuesve dhe veprimtarëve për liri.
Profesor Qosja ka shkruar disa dhjetëra libra me studime letrare, kritikë letrare, romane, tregime,
drama, recensione, vështrime, trajtesa, artikuj, sprova dhe punime politikologjike. Disa nga librat e tij
janë botuar në gjuhë të ndryshme si në anglisht, gjermanisht, frengjisht dhe gjuhë të tjera. Të njohur
më së shumti e ka bërë libri i tij “Vdekja më vjen prej syve të tillë.” Ky nuk është një roman i thjeshtë.
Ai është paraqitja e një tabloje të zymtë të jetës së shqiptarit në Kosovë. Në të ai përshkruan jetën e
rëndë nën kontrollin policor të regjimit të Lidhjes Komuniste. Ndeshja morale në mes të Danjollit të
Sherkës, si shërbëtor i pushtetit, dhe Xhezairit të Xhikës, ka karakter moral, politik dhe human.
Përshkrimi i gjendjes së zymtë nën robëri, përcjellë një mesazh politik vleror për lexuesin që do të
mund të përmbledhej në një thirrje për veprim: Kjo gjendje nuk durohet më! Këtë gjendje duhet
ndryshuar! Sistemi diktatorial, me sytë e tij që vrasin, duhet zhbërë, duke punuar për të krijuar
sistemin e lirisë individuale dhe kolektive. Shkrimtari ynë i njohur Isamil Kadare duke ja paraqitur
këtë vepër publikut francez ka shkruar: “Vdekja më vjen prej syve të tillë’ është një vepër me inspirim
kafkian, një roman që prish qetësinë, një vepër që profetizon apokalipsin dhe një nga veprat më të
mëdha të letërsisë shqiptare.”
Por, Rexhep Qosja nuk është vetëm romansier, dramaturg dhe studiues i letërsisë. Ai është edhe
një ndër politikologët tanë më të mirë. Në veprat e tij “Strategjia e bashkimit shqiptar”, “Çështja
shqiptare – Historia dhe politika”, “Fjalor Demokratik”, “Paqja e përgjakshme”, “Shpërngulja e
shqiptarëve”, “Demokracia e shpërdorur”, “Ideologjia e shpërbërjes”, “Realiteti i shpërfillur”,
“Rilindja e dytë” etj., Qosja na shfaqet si një mendimtar origjinal në lidhje me një numër ideshë dhe
fenomenesh politike dhe shoqërore. Pikërisht këtë dimension të krijimtarisë së tij do ta trajtojmë në
këtë punim.
2. Politika dhe morali sipas Qosjes
Politika si shkencë ka lidhje të rëndësishme me etikën. Ajo përmban gjithnjë edhe anën e saj morale.
Etika politike studion mundësitë e argumentimit të principeve etike (parimeve, aksiomave), normave
(ligjeve dhe rregullave) dhe virtyteve (pikëpamjeve, ideve).
Profesor Qosja preferon një politikë me bazë etike, e përmbledhur në dy parime: “Parimi i parë:
morali i shtetit pashmangshëm kushtëzon moralin e shoqërisë dhe, parimi i dytë, politika e moralshme
historikisht është treguar më e levërdishme dhe natyrisht shumë më frytdhënëse si në përpjestime
kombëtare ashtu edhe në përpjesëtime botërore se sa politika e pamoral.”
Duke i analizuar rrethanat e krijuara pas luftës në Kosovë, Qosja konstaton se “populli shqiptar po
“kalon një krizë të shtrirë shpirtërore dhe morale.” Ai e shpreh hapur zhgënjimin e tij për gjendjen
morale të shoqërisë shqiptare: “Deri kur dija dhe ndershmëria politike do të jenë pengesë, kurse
mosdija, banaliteti dhe mashtrimi – përparësi?” Kjo krizë, sipas tij, shpërfaqet në formën e
“keqpërdorimit të padenjë të lirisë.” Qosja thërret për kthim tek vlerat, idetë, parimet dhe virtytet. Në
këtë kontekst Qosja është shumë i ashpër ndaj mungesës së etikës te politikanët: “Është dobësuar
shumë njeriu në politikën tonë dhe është dobësuar shumë njeriu në politikanin tonë. Më i shpeshtë se
politikani i përgjegjshëm dhe zemërhapur është politikani i tjetërshfaqshëm e pa skurpuj. Më i
shpeshtë se politikani i qëndruar, është politikani makiavelsit a i hallakatur, që vazhdimisht e sheh
kanibalin para dyerve dhe nxit përçarje e urrejtje në opinion.”
Rexhep Qosja në projektet e tij teorike synon ta krijojë njeriun e ri shqiptar, të bazuar në idetë e
Naim Frashërit për moralin: një njeri të ditur, me karakter, të qytetëruar, i cili bashkon dijen me
natyrën, mendjen me nderin, aftësinë me përgjegjësinë, që i kupton nevojat e vendit, e kuptimëson
jetën dhe shoqërinë. Pra me një njeri të tillë “në të cilin janë bashkuar mendja e karakteri, cilësia
mendore dhe cilësia shpirtërore, natyra dhe kultura, mund të tejkalohet kriza shpirtërore e morale.”
Dhe, një njeri të tillë ideal mund ta krijojë politika, shkenca dhe arsimi përmes shtetit të së drejtës,
sistemit demokratik dhe sistemit arsimor të orientuar drejt shkencës.
3. Ideja e lirisë dhe demokracisë
Krijimtarinë politikologjike të Rexhep Qosjes e përshkon mendimi i qartë për vlerat politike. Ai
angazhohet për liri, barazi, demokraci dhe vetëvendosje si parime themelore të humanizmit njerëzor.
Ai nuk beson në demokraci pa liri, as në barazi pa demokraci. Barazia e popujve nuk realizohet
përmes diktateve të popujve të tjerë. Aty ku synohet të vendoset demokracia përmes gjendjes së
jashtëzakonshme, aty nuk ka as liri dhe as demokraci: “Demokracia nënkupton lirinë dhe barazinë e
popujve dhe të njerëzve. Pa barazi të popujve në bashkësinë shumëkombëshe, nuk mund të flitet për
barazi të qytetarëve.”
Konceptet etike dhe filozofike të Rexhep Qosjes kanë natyrë humane. Ai nuk është një nacionalist
i ashpër, siç është portretizuar shpesh në mediet serbe, por një humanist i bindur. Ai fton për sjellje
racionale, etike dhe të përgjegjshme në raport me individin tjetër. Edhe bashkësia njerëzore mund të
ekzistojë vetëm në saje të përgjegjësisë që ndan njeriu për njeriun dhe populli për popullin.
Kombëtaren Qosja e sheh vetëm si një mundësi për të shprehur botëroren, universalen, për të krijuar
parakushtet për zhvillimin e lirë të individit dhe kombit.
Janë me dhjetëra artikuj dhe punime tjera në të cilat ai e trajton vlerën e lirisë. Liria për të “është
kuptimi i jetës së njeriut. Por, siç është provuar shumë herë gjatë historisë, sidomos gjatë shekullit të
kaluar, liria në varfëri, në pushtime dhe në diktaturë nuk e kuptimëson jetën e njeriut. Liria është
vërtetë liri vetëm në demokraci.” Sipas tij njeriu ka lindur për të qenë i lirë. Ai është i bindur se të
gjitha pushtet që këtë të drejtë natyrore të njeriut “e gulçojnë, e cënojnë, e kufizojnë me dhunë
pashmangshëm do të vdesin prej dhunës.” Ideja e lirisë është motori shtytës i lëvizjes drejt historisë.
Kur po ushtrohej trysni e madhe ndaj shkrimtarëve shqiptarë për t’u bërë pjesë e
instrumentalizimit politik në procesin e shtypjes së të drejtave të shqiptarëve në Jugosllavi, Rexhep
Qosja ishte i pari shkrimtar shqiptar që hapur, në Kongresin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë,
në vitin 1985, do të fliste për mungesën e lirisë në Kosovë, do të mbronte gjuhën shqipe, identitetin
kombëtar shqiptar dhe do të demaskonte dhunën që ushtronte shteti jugosllav ndaj shqiptarëve. Ai do
të deklaronte: “Do të flas në gjuhën serbokroate, jo që të mos më quaj kush shkrimtar “autoqefal”,
sepse besoj se gjuhë autoqefale s’ka në këtë botë dhe jo që të më dhurohet ndonjë duartrokitje, se e di
përpara, duartrokitje për këtë diskutim nuk mund të pres, por që të më marrin vesh të gjithë. Do të flas
si intelektual shqiptar, e të jesh intelektual shqiptar – shkrimtar a shkencëtar – shqiptar domethënë të
jesh, porsi personazhi i Franc Kafkës, Jozef K., njeri që vazhdimisht pret ta thërrasin. Do të flas si
intelektual shqiptar, e të jesh intelektual shqiptar sot, më në fund, domethënë: të jesh çka nuk je e të
mos jesh çka je.”
Pas fjalimit të tij në Kongresin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë do të fillonte një tiradë
akuzash kundër tij. Këtij presioni kundër lirisë së tij individuale dhe kundër lirisë së popullit shqiptar,
Qosja do t’i përgjigjej para shkrimtarëve jugosllavë: “Detyrë morale e shkrimtarit nuk është që të flasë
siç i pëlqen dikujt, por siç është e vërteta. Unë jam këtu në parlamentin e mendjes – që të them të
vërtetën, e jo në kishë – që të rrëfehem.” Në këtë fjali, në fakt, përmblidhet e gjithë esenca e etikës
politike të Rexhep Qosjes.
Për të realizuar idenë e lirisë Rexhep Qosja nuk e përjashton edhe përdorimin e luftës. Pra, ai
është humanist, por jo pacifist. Një popull mund të pësojë disfatë në luftë, por ai është më mirë të
humb duke zhvilluar betejën, se sa pa hyrë fare në betejë. Prandaj, lindja e UÇK-së e gëzon fort
profesorin. Në të ai e sheh mundësinë për të realizuar lirinë. Ajo është subjekti që e sfidon Serbinë.
UÇK është për Qosjen “ushtria e popullit: ajo është e pazhdukshme, ajo pavarësisht prej disfatave që
në çaste të caktuara do të mund të pësojë, do të ringjallet prej hirit të vet – si Feniksi.” Ai e adhuron
krenarinë, qëndresën, vendosmërinë, qëllimet liridashëse dhe gatishmërinë për flijim të luftëtarëve
tanë. Ishin këta ushtarë lirie që i dhanë shtytje zhvillimit të historisë në drejtimin e duhur: në
shpërbërjen përfundimtare të burgut të popujve të quajtur Jugosllavi.
4. Ideja e bashkimit kombëtar
Profesor Qosja e fillon librin e tij “Strategjia e bashkimit shqiptar” me një konstatim interesant:
“Gjeografia e ka bashkuar popullin shqiptar me Evropën, por historia shumë kohë e ka ndarë prej saj.
Megjithëse për nga pozita gjeografike është Evropë, për nga historia ai ishte gjatë i detyruar të jetë
Azi.” Ky fakt ka bërë që shqiptarët të përceptohen në mënyrë të njëanshme edhe nga Lindja edhe nga
Perëndimi. Për Lindjen ata janë më shumë perëndimorë se sa lindorë, kurse, për perëndimin,
shqiptarët janë më shumë lindorë se sa perëndimor. Ky konteskt paragjykues ka sjellë edhe momente
tragjike në historinë shqiptare.
Si duhet të sillen shqiptarët në këtë kontekst gjeostrategjik dhe kulturo-historik? Qosja mendon se
duhet të sillen të tillë siç janë, pa u munduar të dëshmohen më perëndimorë se perëndimorët, por edhe
pa pasur drojë nga elementet e trashëguara religjioze dhe kulturore nga lindja. E rëndësishme për të
është që ata të maksimalizojnë fuqinë e tyre politike, ekonomike dhe kulturore: të bashkohen në një
shtet.
Në fakt Rexhep Qosja në rrafshin ideor ka diçka të përbashkët me ish kancelarin Helmut Kohl. Të
dy i lidh ideja e bashkimit. Më 28 nëntor 1989 kancelari gjerman Helmut Kohl pati paraqitur
Programin 10-Pikësh për Bashkimin e Gjermanisë para Bundestagut Gjerman. Me këtë Plan
kancelari gjerman nuk i befasoi vetëm opozitën dhe miqtë e tij ndërkombëtar, por edhe shumë nga anëtarët e partisë së tij. Në fjalën e tij para Bundestagut ai pati thënë: “Rruga drejt bashkimit nuk është
shtruar në tavolinën e gjelbërt ose përmes planifikimit me dorë të një plani terminesh….Ne mundemi,
nëse vetëm duam, që sot t’i përgatisim ato etapa, të cilat sjellin deri te ky qëllim…Se si do të duket një
Gjermani e ribashkuar, nuk e di sot askush. Por, që bashkimi do të vijë, nëse njerëzit në Gjermani këtë
gjë e duan, për këtë jam i sigurtë.”
Ndryshe nga Helmut Kohli, Qosja ishte vetëm në një fazë të shkurtër kohore aktiv politikisht. Por,
struktura teorike dhe argumentuese e Rexhep Qosjes në librin e tij “Strategjia e bashkimit shqiptar”
është në të njëjtën linjë me Programin e Helmut Kohlit për bashkimin e Gjermanisë. Në këtë kaudër ai
e sheh zgjidhjen e çështjes shqiptare në Evropën e popujve të bashkuar: “Çështja e shqiptarëve mund
të zgjidhet në mënyrë të tërësishme e jo të pjesshme, të përhershme dhe jo të përkohshme, në Evropën
e popujve të bashkuar, sepse në Evropën e popujve ata, si popull i ndarë, do të bëheshin të bashkuar.”
Akuzave se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të krijonte Shqipërinë e Madhe, Qosja i
përgjigjet me një argument të fort polemik e logjik: “Rusia me mbi 17 milionë e 75 400 km2 dhe me
rreth 150 milionë banorë nuk quhet Rusi e Madhe; as Gjermania e bashkuar me 357 mijë km2 dhe me
rreth 80 milionë banorë nuk quhet Gjermani e Madhe, as Kina me 9 milionë e 551 mijë km2 dhe me
rreth 1 miliardë e 200 milionë njerëz nuk quhet Kinë e Madhe, ndërsa Shqipëria e Bashkuar, e përbëre
prej Shqipërisë së sotme dhe prej tokave shqiptare në ish Jugosllavi që kanë vazhdimësi gjeografike
me të dhe në të cilat shqiptarët janë popullatë e vetme apo shumicë e madhe, që do të kishte gjithsejt
55 mijë km2 dhe rreth 7 milionë banorë do të quhej Shqipëri e Madhe! Jo. Shqipëria e bashkuar, e
përbërë prej dy gjysmave të popullit të ndarë shqiptarë, nuk mund të quhet Shqipëri e Madhe: ajo do
të ishte Shqipëria natyrore.”
Qosja është i qartë në dallimin në mes të identitetit shtetëror dhe atij kombëtar. Identiteti
kombëtar kosovar, i tillë siç propagandohet si identitet i ri, i ngjan shumë idesë për identitetin
kombëtar jugosllav ose identitetin kombëtar sovjetik. Bazë e një logjike të tillë është sentenca se shteti
përcakton identitetin kombëtar, perkatësisht se shteti e krijon kombin dhe jo kombi shtetin. Natyrisht
që në këtë rast kemi të bëjmë me një ngatërrim të identitetit shtetëror me identitetin kombëtar. Sipas
Qosjes qëllimi i krijuesve të kësaj ideje është krijimi i një ideologjie “kundër konceptit një popull, një
kulturë, një gjuhë letrare, nje komb.” Ai e quan këtë një “ideologji kundërhistorike me të cilen do të
mposhtej përgjithmonë ideja që e ka lëvizur historinë e popullit shqiptar prej Lidhjes së Prizrenit e
këndej: ideja e bashkimit kombëtar.”
Njësoj si Kohli, edhe Qosja zgjidhjen e tij e bazon në të drejtën e shqiptarëve për vetëvendosje.
Dhe, Rexhep Qosja i ka mbetur besnik pikëpamjes së tij deri në fund. E përsëriti këtë gjë edhe në
fjalën e tij në Akademinë kushtuar 85-Vjetorit të Lindjes së tij, më 25 qershor 2021, në Prishtinë: “Sot
ne jemi komb me dy shtete që pashmangshëm do të bashkohen një ditë. Atë ditë mund të mos ta dimë
sot, por e dimë sigurt se do të baskohen një ditë jo edhe shumë të largët.”
5. Praktika politike
Si shumica e intelektualëve në Kosovë, edhe Rexhep Qosja ka qenë i angazhuar politikisht. Por, ai
nuk ka pasur asnjë rol drejtues partiak gjatë sundimit të sistemit njëpartiak të Lidhjes Komuniste të
Kosovës, përkatësisht Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë. Në kuadër të procesit të diferencimit
ideopolitik atij i jipet vërejtje partiake për shkak të mosdënimit të demonstratave studentore të vitit
1981.
Pas gjysmës së viteve 1980 Rexhep Qosja shndërrohet në një lloj institucioni më vete politik:
simpatizohet deri në adhurim nga të rinjtë veprimtarë të idesë së Republikës së Kosovës dhe urrehet
deri në kërcënim nga aktivistët e Lidhjes Komuniste të Kosovës. I reduktohet publikimi dhe
stigmatizohet politikisht vepra e tij letrare.
Më 30 maj 1989 Rexhep Qosja mban takim me delegacionin e Parlamentit Evropian. Takimi
zhvillohet në dhomë të hotelit. Atë ditë Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës organizoi
demonstrata në Llap dhe Prishtinë. Në Llap u vra Ali Ajeti gjatë përleshjes me policinë. Qosja
argumenton fuqishëm kundër dhunës që ushtrohet ndaj demonstruesve dhe kundër sistemit të shtypjes
që sundonte në Kosovë. Si rezultat Parlamenti Evropian përmes një Rezolute e dënoi dhunën kundër
shqiptarëve në Kosovë.
Gjatë vitit 1998 Qosja, më në fund, vendos të angazhohet politikisht duke marrë drejtimin e
Lëvizjes së Bashkuar Demokratike. Si kryetar partie merr pjesë në Konferencën e Rambujesë. Ai
insiston që në Rambuje të mos shkohet pa përfaqësuesit e UÇK-së. Ishte i bindur se ushtarët e UÇK-
së e kanë sjellur Kosovën në Rambuje: “Kosova ishte në gjunjë dhe ata e ngritën në këmbë. Ne ishim
të përkulur, tepër të përkuluar, e ata na drejtuan. Na shikonim përtokë, e ata na e kthyen nderin dhe
dinjitetin. Ne ishim objekt në politikë, e ata, me vetëflijimet e tyre, me luftën e tyre, na bënë subjekt.”
Ai luan rol parësor në përafrimin e delegacionit të Kosovës dhe në mandatimin drejtues të
delegacionit.
Ai ndikon që të ketë sjellje racionale dhe politikisht korrekte.
Nga Rambuje Qosja na ka sjellë një material me vlerë për diplomacinë dhe artin e negocimit
përmes shënimeve të tij të mbajtura gjatë Konferencës së Rambujesë, të botuar në formë libri me
titullin “Paqja e përgjakshme.” Në këtë ditar ai mban shënime për takimet, bisedimet dhe përjetimet e
tij gjatë Konferencës së Rambujesë. Ai mbron pikëpamjen se Marrëveshja e nënshkruar prej tij dhe
anëtarëve të tjerë të delegacionit të Kosovës në Rambuje ka pasur rol të dyfisht, historik dhe tragjik,
njëkohësisht: ajo është Marrëveshje që e ka çelur derën e lirisë, por e ka çelur edhe derën e tragjedisë.
Dhe: “Paqja që do të sjellë ajo Marrëveshje paqësore do të jetë paqe e përgjakshme.”
Me udhëheqësit e procesit negociotar argumenton bindshëm dhe racionalisht. Ai insiston në të
drejtën për vetëvendosje përmes referendumit: “Referendumi është institucion demokratik, i krijuar në
filozofinë politike të Perëndimit për zgjidhjen e çështjeve siç është e jona. Argumentet teorike dhe
praktike e mbështesin të drejtën tonë për referendum.”
Përgjatë zhvillimit të Konferencës së Rambujesë, persiatjet filozofike, politike dhe etike të Qosjes
janë tepër racionale, në një kohë iracionale. Ai shkruan se në Rambuje kanë shkuar të sjellin paqe për
Kosovën, por jo paqe pa liri. Në këtë kontekst, më 11 shkurt 1999, i deklaron Ministrit të Jashtëm
Britanik Robin Cook: “Ne kemi ardhur këtu me dëshirën dhe me shpresën që Kosovës t’ia çojmë
paqen. Paqja i duhet Kosovës më shumë se çdo gjë tjetër. Por, çfarë paqeje? Që të jetë e qëndruar, e
përhershme, paqja duhet të jetë e drejtë. Kosovës i duhet, pra, paqe e drejtë.”
6. Për demonstratat e vitit 1981
Qosja bën pjesë në mesin e intelektualëve në Kosovë që nuk i kanë dënuar demonstratat e vititi 1981.
Për këtë ai i nënshtrohet një presioni të madh politik përgjat procesit të diferencimit ideopolitik që
udhëhiqej nga Lidhja Komuniste e Kosovës. Qosja zgjedh heshtjen si mënyrë të reagimit të tij ndaj
trysnisë së Lidhjes së Komunsitëve. Ai mbrohet me heshtje. Dhe, heshtja e tij flet. Vite më vonë ai
shkruan: “Ekzistojnë filozofia dhe estetika e fjalës së shkruar dhe e fjalës së folur, por ekzistojnë edhe
filozofia dhe estetika e fjalës së heshtur dhe e mendimit të heshtur.”
Në gjysmën e dytë të viteve 1980 profesor Qosja shkruan se udhëheqjet politike të pas vitit 1981
kanë rënë në provimin politik historik. Ata i kanë pranuar formulat kundërshqiptare edhe pse nuk
kanë besuar në to. Pra, i kanë bërë dëm popullit të tyre, për hir të karrierës së tyre. Me këtë rast ata
janë gjendur të izoluar nga populli. Kanë filluar të konsiderohen si kolaboracionistë: “Për të qenë
tragjedia morale e këtyre udhëheqjeve edhe më e madhe, ata jo vetëm se ashtu janë izoluar plotësisht
prej popullit, kur e kur duke u vënë edhe kundër popullit, por njëkohësisht, janë përpjekur ta detyrojnë
edhe popullin që të flasë e të veprojë kundër vetes. Kjo ishte vetëvrasje politike dhe morale e
udhëheqjeve tona politike.”
7. Apostull i lirisë
Rexhep Qosja i ka kritikuar shumë të tjerët. Kjo natyrisht i ka kushtuar jo pak shqetësime në jetën
e tij krijuese, politike dhe shoqërore. “Morfologjia e një fushate” paraqet vetëm fillimin e një numri të
madh polemikash e kritikash të tij drejtuar personaliteteve politike, shoqërore, kulturore dhe krijuese.
Por, Rexhep Qosja ka ditur edhe të veçoj personalitete të çmuara të historisë, letërsisë dhe kulturës
sonë kombëtare. Një nga shkrimet me të çmuara politikologjike të tij është Fjala e tij në shënimin e
60-vjetorit të lindjes së Adem Demaçit. Edhe varianti më i zgjeruar i kësaj fjale, botuar në veprën e
dhjetë të kompletit të veprave të Adem Demaçit në formën e pasthënies, përmban një fjali që
përmbledh rolin e veprimtarisë së Adem Demaçit: “Para vetes dhe para botës ne ende nuk kemi
mundësi të dalim e të mburremi as me dëshmi të zhvillimit teknik, as me dëshmi të zhvillimit
ekonomik. Para vetes dhe para botës sot mund të dalim e të mburremi, para së gjithash, me qëndresën
madhështore politike e morale të Adem Demaçit. E, kjo ishte vepër që lëvizte ndërgjegjien tonë dhe,
duke lëvizur ndërgjegjien, e lëvizte historinë.”
Adem Demaçin Qosja e portretizon si apostull të lirisë, drejtësisë shoqërore dhe pavarësisë së
popullit të vet. Në kohën kur i drejton këto fjalë, më 26.02.1996, vendi vuante keq nën thundrën e
pushtuesit. Jeta e Demaçit është përshkuar nga gatishmëria e tij për vetmohim. Sipas Qosjes në rast se
Demaçi nuk do të karakterizohej me një shkallë të lartë altruizmi, ai do të ishte “një krijues i madh i
letërsisë shqipe.” Pra, do të kishim një krijues të madh letrar, por nuk do të kishim një simbol
kombëtar, i cili e flijoi veten për lirinë, ardhmërinë dhe dinjitetin e kombit të tij: “Letërsia shqipe do të
mbesë pa një krijues të dalluar, por historia shqiptare do të fitojë një apostull të madh të lirisë.”
Qosja e përshkruan Demaçin si njeri me ideal të lartë por edhe me iluzionin se Kosova mund të
çlirohet nga Serbia. Iluzioni nuk e ul rëndësinë historike të idealit të Adem Demaçit. Duke qenë
intelektual që e kupton saktë politikën dhe historinë Demaçi sheh përtej së tashmes. Jetëshkrimi i
Adem Demaçit është jetë –porosi prej së cilës intelegjencia shqiptare mund të nxjerrë mësime të
vlefshme morale.
8. Debati me Kadarenë
Rexhep Qosja ka zhvilluar polemika të ashpra me një numër personalitetesh letrare, politike dhe
publicistike. Ai mospajtimin e definon si “tharmin e demokracisë”, kurse polemikën si “kushtin e
lirisë.” Sipas Qosjes “polemika, liria dhe krijimtaria janë në raporte të ndërsjella dialektike. Prej
natyrës së raporteve të tyre varet edhe fuqia e së vërtetës.” Pra, qëllimi i polemikës është të ndahet e
vërteta nga gënjeshtra, e sakta nga e pasakta, e mira nga e keqja, e drejta nga e padrejta, e bukura nga
e shëmtuara, përparimtarja prej prapambetjes. Polemika është nxitje e veprimit shpirtëror, e cila i vë
në lëvizje imagjinatën, intuitën dhe ndjenjat e njeriut.
Një nga debatet e tij tematike dhe shumë interesante është debati me shkrimtarin tonë Ismail
Kadare. Debati ka vlerë të rëndësishme sociologjike, politikologjike dhe filozofike, pasi që fokusohet
në identitetin kombëtar të shqiptarëve.
Debati fillon me shkrimin e Kadaresë “Identiteti evropian i shqiptarëve.” Ky shkrim ishte një lloj
replike me tezat e mbrojtura nga Qosja në shkrimin e tij “Ideologjia e shpërbërjes.” Qosja i përgjgijet
Kadaresë me shkrimet e tij “Idetë raciste të Kadaresë” dhe “Realiteti i shpërfillur.” Ndryshe nga
Kadareja, Rexhep Qosja mbron pikëpamjen se identiteti kombëtar shqiptar ngërthen në vete të dy
qytetërimet: atë perëndimor dhe lindor. Kadareja shkruan se “një identitet i ndarë është një komb i
ndarë.” Ai shfaqë drojën se “përjashtimi i gjysmës ose shumicës së kombit shqiptar nga identiteti
evropian, do të thotë përjashtim nga Evropa. Dhe përjashtimi nga Evropa nuk është larg dëbimit nga
Evropa.”
Në përgjigjiet e tij Qosja tregohet mjaft i ashpër. Ai e akuzon Kadarenë se po dëshiron të mohojë
identitetin musliman të shqiptarëve, se ai e përbuzë ndikimin e fesë. Fetë, sipas tij, janë “përbërës
shumë i rëndësishëm i identitetit.” Ai e vë në fokus faktin se jeta e individit përshkohet nga një
multidimensionalitet identitesh, por të gjitha këto identitete të veçanta “bashkohen në atë të
përgjithshmen, të tërën, që i themi identiteti kombëtar shqiptar.”
9. Përfundim
Rexhep Qosja thërret me zë për rikthim drejt vlerave etike. Ai e orienton thirrjen e tij sidomos ndaj
veprimtarëve, intelekualëve dhe qytetarëve. Dhe këtë gjë e bënë në një mënyrë tepër të rrallë: “Në
Greqinë e lashtë, në kohën e Homerit, rreth zjarrit të ndezur në nderim të heroit të rënë në luftë, ecnin
shokët, miqtë dhe adhuruesit e tij, duke hedhur në zjarr të gjitha ato që i donin më së shumti: kush
kalin, kush robin e kush vetveten. Nuk po kërkoj aq shumë prej shokëve e miqve të Fehmi Lladrovcit.
Nuk po kërkoj aq shumë prej nesh. Mos të hedhim në zjarr asnjë nga ato që duam. Por, le të hedhim
në zjarr të këqijat tona të sotme. E, kemi çka të hedhim. Korrupsionin! Krimin e organizuar!
Nepotizmin! Luksin! Privilegjet e zyrtarëve!”
Veprimtari, intelektuali dhe qytetari vetëm do të duhej të aprovoj një mesazh të tillë. Për hir të së
sotmes dhe sidomos të ardhmes së kombit tonë!