Fundjava dhe lëvizja pa pengesa në pikat e kalimit kufitar Shqipëri-Kosovë ka shtuar fluksin e mjeteve dhe të shqiptarëve të Kosovës drejt bregdetit shqiptar. Në Morinë, fluksi i madh ka qenë që në orët e hershme të mëngjesit e vazhdon ende. Në sportelet e doganës, Policia kufitare e Morinit nuk ka kërkuar dokumentet dhe nuk i ka regjistruar qytetarët e Kosovës. Kjo pohohet edhe nga vetë qytetarët e Kosovës, të cilët thonë se kjo duhet të jetë gjatë gjithë vitit.
Marrëveshja mes dy shteteve ka mundësuar që deri më 30 shtator për çdo fundjavë dhe festë zyrtare, qytetarët të mos regjistrohen nga Policia e Kosovës dhe Shqipërisë. Ndërkohë që në kufi radhët janë zhdukur duket se kufiri mes Kosovës e Shqipërisë është zhvendosur tek tolli në Kalimash. Sot në mëngjes janë shënuar radhë makinash dhe trafik edhe në “Rrugën e Kombit”, kryesisht në afërsi të trarit ku bëhet pagesa në Kalimash.
Pamjet flasin për dhjetëra automjete që presin të bëjnë pagesën dhe të lëvizin drejt bregdetit shqiptar. Kompania koçensionare kishte marrë masa për shtimin edhe të dy sporteleve edhe në kahun e kundërt të lëvizjes, por sërish trafiku ishte i lartë.
g.kosovari